Telegrafi

Zyrtare: Ander Silva kalon te RB Leipzig

RB Leipzig  ka përfunduar blerjen e sulmuesit Andre Silva nga Eintracht Frankfurt, duke nënshkruar kontratë pesë vjeçare me 25-vjeçarin portugez.

Andre Silva hapat e parë si profesionist i bëri te FC Porto, ku në sezonin e parë 2016/17, ai shënoi 21 gola në 44 paraqitje.

Ky fillim në karrierën e tij ia siguroi lëvizjen te AC Milan në sezonin 2017/18, duke shënuar edhe 10 gola në 40 ndeshje.

Ai më pas u huazua te Sevilla FC (40 ndeshje, 11 gola), përpara se të kalonte në Eintracht Frankfurt në sezonin 2019/20, duke u bërë një nga golashënuesit më të mirë të Bundesliga gjatë dy viteve të fundit.

Sulmuesi te Eintracht Frankfurt kishte shënuar 40 gola në 57 ndeshje në Bundesliga.

Flitet se RB Leipzig ka paguar afër 23 milionë euro për lojtarin.

André Silva tani do të bëjë një pushim të shkurtër veror ku më pas do të bashkohet me klubin në mes të korrikut. /Telegrafi/