Klubi basketbollistik i Prishtinës është përforcuar me lojtarin lituanez, Denis Krestinin.
“Edhe pse kishte shumë oferta, Denis zgjodhi KB Prishtinën, Ligën e Kampionëve, Europe Cup, si dhe Plisat për atmosferën e zjarrtë që ata krijojnë gjatë ndeshjeve”, thuhet në njoftimin e klubit kryeqytetas.
Alo-qendra lituaneze në edicionin e fundit ka luajtur për ekipin Jurmala, në Ligën Baltike.
Denis Krestinin është 24 vjeç dhe është i gjatë 201 centimetra.
Ka luajtur për ekipet, si Vilnius KK Akademija, Sarunas Marciulionis Basketball Academy, BC Sakalai, Turow Zgorzelec, BK Jelgava, BK Barons dhe së fundmi për BK Jurmala.
Ka qenë kampion në Poloni me ekipin Turow Zgorzelec, dy herë vendin e tretë në Letoni, si dhe nënkampion i Ligës Baltike.
Krestinin shquhet për lojën e dobishme ekipore, me kualitete të theksuara individuale, si dhe atraktivitet e ngulitje spektakolare.
Denis qysh sot (e hënë) do të jetë në Prishtinë dhe do t’iu bashkëngjitet shokëve të skuadrës, me përjashtim të reprezentuesve të Kosovës.