Klubi nga Drenasi, Feronikeli ka emëruar Afrim Tovërlanin trajner të ri.
Disa javë pas ndërprerjes së bashkëpunimit me trajnerin Agim Sopi, Nikli ka njoftuar emërimin e trajnerit Afrim Tovërlani.
“Pas ndërprerjes së bashkëpunimit me trajnerin, Agim Sopi, FC Feronikeli ka vendosur që drejtimin e skuadrës të ia besojë trajnerit nga kryeqyteti, Afrim Toverlani”.
“Toverlani, i njohur për publikun si “Toki”, është ndër trajnerët më të trofeshëm të Superligës së Kosovës dhe po rikthehet në skuadër pas trofeve të fituar në sëzonët 2014/15 dhe 2015/16”, thuhet në njoftimin e Feronikelit.
“Toki” pas karrierës si futbollist ju fut zejes së trajnerit, duke fituar gjithsej gjashtë trofe në Kosovë.
Ai u shpall Kampion i Kosovës tre herë me FC Prishtina, gjatë sezoneve: 2007/08, 2008/09 dhe 2012/13. Po ashtu me FC Prishtina ai fitoi edhe Kupën e Kosovës gjatë sezonit 2012/13.
Ndryshe, kjo është hera e dytë që Tovërlani merr drejtimin e FC Feronikelit, pasi që klubin e drejtoi edhe gjatë viteve 2015-17, duke arritur të shpallet Kampion i Kosovës në sezonin 2015/16 dhe fitoi Kupën e Kosovës në sezonin 2014/15. /Telegrafi/