Një zyrtar i lartë i grupit militant palestinez Hamas, Mousa Abu Marzouk, tha se mund ta njohin Izraelin si shtet në mënyrë që t’i japë fund ofensivës ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës.
Marzouk e deklaroi këtë në një intervistë për portalin Al-Monitor, duke theksuar se njohja e shtetit izraelit është qëndrim zyrtar i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO). Sipas tij, izraelitët meritojnë të drejta, por jo në kurriz të të tjerëve.
Gazeta izraelite Jerusalem Post shkruan se Hamasi, si në botën arabe ashtu edhe më gjerë, ishte nën presion për shkak të konfliktit që pasoi më 7 tetor, kur sulmoi Izraelin.
Intervista me Marzouk u zhvillua pak para se kreu i Hamasit, Ismail Haniyeh, të thoshte në një fjalim televiziv se çdo marrëveshje në Gaza pa Hamasin është një mashtrim.
“Ne jemi të hapur për të diskutuar çdo ide apo iniciativë që mund t’i japë fund agresionit (izraelit) dhe hap derën për tu marrë me çështjet dhe zgjidhë problemet, si në Bregun Perëndimor ashtu edhe në Rripin e Gazës”, tha Haniyeh.
PLO e njohu Izraelin pas arritjes së Marrëveshjes së Oslos në vitin 1993, por Hamasi refuzon ta njohë këtë shtet. /Telegrafi/