Site icon Telegrafi

Zyra e Kryeministrit: E njoftuam presidentin që Kurti sot është i zënë, takimi mund të mbahet të premten 

Erzen Vraniqi, këshilltar politik i kryeministrit Albin Kurti ka bërë të ditur se Zyra e Kryeministrit e ka njoftuar presidentin Hashim Thaçi se Kurti sot është i zënë, por se takimi ndërmjet tyre mund të mbahet të premten.

Vraniqi për Telegrafin tha se për pamundësinë e takimit të Kurtit sot me Thaçin ishin të njoftuar edhe Zyra e presidentit.

“E kemi njoftuar presidentin që kryeministri sot është i zënë, por të premten pasdite ka mundësi të takohet”, u shpreh Vraniqi.

Ndryshe, gjatë muajit të fundit, presidenti Thaçi dhe kryeministri Kurti kanë ftuar formalisht njëri-tjetrin për takim.

Thaçi edhe sot ka ftuar në takim kryeministrin, duke thënë se ia ka mundësuar katër termine. Sipas tij, Kurti ka përgjegjësi si lider i partisë, por edhe si kryeministër të takohet me presidentin.

“Dua të shpresoj se kryeministri ta gjej kohën për tu takuar, jo pse e ka obligim po përgjegjësi, si lider i partisë dhe si kryeministër aktual, në mënyrë që takimi ynë të mos jetë i pavlerë, në ndonjë vendim marrje të papritur që mund të vjen për vendin tonë dhe qytetarët tonë”, tha Thaçi.

Por, lidhur me këtë kanë reaguar nga Kryeministria.

Vraniqi tha se e kanë njoftuar me kohë presidentin se kryeministri sot është i zënë, por të premten pasdite ka mundësi të takohet. /Telegrafi/

Exit mobile version