Është lojtari i momentin në Norvegji dhe thuajse çdo javë shënon apo asiston.
Zymer Bytyqi është duke kaluar nëpër një formë fantastike me skuadrën e famshme norvegjeze Viking.
Sulmuesi anësor ka arritur të bëhet lojtari kryesor i kësaj skuadre dhe e ka udhëhequr Vikingun në pesë fitore radhazi.
24-vjeçari së fundmi është zgjedhur edhe futbollisti i muajit shtator në elitën e futbollit norvegjez, pasi paraqitjeve spektakolare.
Bytyqi është sulmuesi më në formë nga Kosova, pasi shënon çdo javë dhe asiston, por çuditërisht ai nuk është ftuar nga Bernard Challandes.
Lojtari ishte ftuar në vitin 2014 me vetëm 17 vite, por pastaj ftesat munguan për të, derisa grumbullimin e fundit e kishte në janar të këtij viti kur Kosova luajti miqësore me Suedinë në Katar.
Telegrafi ka kontaktuar me Bytyqin duke bërë një intervistë rreth formës së tij, të ardhmes dhe ftesës nga Kosova e cila po mungon.
“Është e vërtetë që jam duke kaluar nëpër një formë shumë të mirë me skuadrën dhe mund të them se kurrë nuk kam pasur sezon më të mirë”, ka deklaruar Bytyqi për Telegrafin.
Deri më tani 24-vjeçari ka marrë pjesë direkt në 15 gola të Viking, duke realizuar tetë dhe duke asistuar në shtatë të tjerë.
“Kam shënuar gola të bukur dhe vendimtar, por më pëlqen edhe të asistoj për bashkëlojtarët, pasi asistimi llogaritet gjysmëgol”, thotë Bytyqi.
Kur jemi edhe 11 ndeshje deri në fund të sezonit në Norvegji, Bytyqi thotë se shpreson t’i dyfishojë numrin momental të golave dhe asistimeve.
“Momentalisht jam në formë të mrekullueshme ku kam shënuar rregullisht, por deri në fund të sezonit fillimisht uroj që të jem mirë e pa lëndime, teksa shpresoj t’i dyfishoj numrin e golave dhe asistimeve që i kam për momentin”, tha Bytyqi për Telegrafin.
Duke marrë parasysh se sulmuesit e Përfaqësueses së Kosovës nuk po luajnë shumë dhe po kanë probleme me lëndime, Bytyqi thotë se është gati për Dardanët.
“Unë çdo natë ëndërroj të më vije ftesa nga Kosova. Kam qenë në vitin 2014 kur isha një fëmijë dhe ai ka qenë momenti më i mirë në karrierën time, të grumbullohem nga vendlindja edhe pse kishim të drejtë vetëm për ndeshje miqësore”.
“Në janar kam luajtur ndaj Suedisë dhe vërtet ishte ndjenjë e mirë ta veshësh fanellën e Kosovës, por unë vazhdoj të pres një ftesë edhe për ndeshje zyrtare”, vazhdon tutje Bytyqi.
Ai thotë se njihet me shumicën e lojtarëve të Përfaqësueses, teksa mezi pret që së bashku me ta të jetë në grumbullim.
“Unë jam i gatshëm kurdoherë që Kosova ka nevojë për mua. Në janar kam biseduar me trajnerin Challandes dhe momentin që ai e sheh të arsyeshme të më ftojë jam gati. Tani për tani shpresoj që të vazhdoj me këtë formë dhe i uroj gjitha të mirat Kosovës”, deklaroi sulmuesi kosovar.
E ardhmja jashtë Norvegjisë, ka oferta nga tri kampionate të respektueshme
Duke parë formën e mirë të lojtarit, ai është vërshuar edhe nga ofertat e shumta.
Bytyqi ka kontratë me Vikingun deri në fund të këtij viti, teksa mund të largohet si futbollist i lirë nga kjo skuadër.
Ai ka konfirmuar ekskluzivisht për Telegrafin se disa klube nga tri kampionate të forta e kanë ofertuar atë, por që nuk zbulon emrat për shkak të bisedimeve.
“Duke parë formën e mirë ka qenë e pritshme që të kem oferta. Agjenti im po merret me to, por ajo që mund të konfirmoj është se klube nga Turqia, Holanda dhe Belgjika kanë shprehur gatishmëri për të më transferuar”.
“Gjithsesi edhe me Vikingun kemi pasur bisedime për kontratë të re, por gjithçka do të mësohet deri në fund të këtij viti”, ka deklaruar Bytyqi për Telegrafin.
Ylli nga Kosova e ka nisur karrierën në Sandnes, teksa ka luajtur edhe për gjigantin austriak Red Bull Salzburg para se të rikthehej në Norvegji te Vikingu.
Bytyqi ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Norvegjisë nga U15 deri në U21, por tani mund të zgjedh për ekipin e parë mes Norvegjisë A dhe Kosovës. /Telegrafi/