Jetlir Zyberaj, këshilltari i ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar të zbatojë në mirëbesim të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog në Bruksel.
Zyberaj përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se pavarësisht kësaj , Serbia ndërmerr veprime që kërcënojnë këtë marrëveshje dhe po vazhdon të krijojë pengesa për qytetarët tanë dhe po vazhdon me propagandën e saj për gjoja masa “ekstreme”.
Postimi i plotë:
Kosova mbetet e përkushtuar të zbatojë në mirëbesim të gjitha marrëveshjet e arritura në Dialog në Bruksel.
Kosova mund të shërbejë si një shembull për Serbinë* në këtë drejtim.
Ne kemi zbatuar me sukses marrëveshjen për lëvizjen e lirë që ka normalizuar lëvizjen e popujve midis dy vendeve. Kosova respekton plotësisht marrëveshjen dhe mbetet e angazhuar për detyrimet ndërkombëtare që ka marrë.
Lëvizja e lirë është një element kyç i integrimit evropian dhe bashkëpunimit më të fortë rajonal.
Por Serbia* po ndërmerr veprime që kërcënojnë këtë marrëveshje dhe po vazhdon të krijojë pengesa për qytetarët tanë dhe po vazhdon me propagandën e saj për gjoja masa “ekstreme”.
Qytetarët e të dyja vendeve mund të udhëtojnë vetëm me letërnjoftim, por nëse duan të kalojnë nga Serbia* në një shtet të tretë, u nevojitet pasaporta.
Bashkimi Evropian si lehtësues dhe garantues i marrëveshjeve të arritura në Bruksel duhet të ndalojë Beogradin nga sjellja dhe veprimet aktuale.
*Ky përcaktim është pranuar për faktin se shteti i Serbisë ka kryer krimet më të rënda kundër njerëzimit(pas luftës së dytë botërore) në Kosovë, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë dhe ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera.
Shteti serb vazhdon edhe sot të pengojë pajtimin në rajon. /Telegrafi/