Këshilltari i zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli dhe zyrtari i AKR-së, Jetlir Zyberaj, ka thënë se do të jetë kandidat për deputet nga koalicioni NISMA-AKR në zgjedhjet parlamentare.
Zyberaj, në “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se prioriteti kryesor i një qeverie ku është e përfshirë edhe AKR-ja do të jetë krijimi i vendeve të reja të punës.
Ai ka thënë se largimi i problemit me Serbinë nga tavolina është kusht që AKR-ja të përfshihet në qeveri.
Këshilltari i zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli ka thënë se për herë të parë në Kosovë dihet partneri i parë i partisë fituese të zgjedhjeve e sipas tij ai është koalicioni NISMA-AKR.
“Është e ditur se nuk mund të ndërtohet qeveria e ardhshme pa koalicionin AKR-NISMA”, tha ai, përcjell Telerafi.
Zyberaj ka thënë se në bazë të kalkulimeve, koalicioni AKR-NISMA do të merr më tepër se 12 deputetë në zgjedhje.
Ai këtë thotë se e bazon edhe në rezultatet e zgjedhjeve të fundit, pasi që thotë se zgjedhjet janë pasqyrë më e saktë se sondazhet.
Duke folur për fushatën e Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, Këshilltari i zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli ka thënë afera korruptive e Daçiqit tashmë është demaskuar jo vetëm nga Kosova, por edhe nga diplomacia ndërkombëtare dhe mediat prestigjioze.
Zyberaj ka thënë se një rast konkret është pretendimi i një letre për tërheqjen e njohjes nga Liberia, ndërsa sipas tij pas pak ditësh presidenti Georg Weah deklaroi se kemi marrdhënie të shkëlqyera me Kosovën. /Telegrafi/