Site icon Telegrafi

Ulet numri i shikuesve në stadiume, Interi dhe Juventusi kërkojnë shtyrjen e Superkupës së Italisë

Interi dhe Juventusi kanë kërkuar që të shtyhet përballja e Superkupës së Italisë deri në fund të sezonit pasi kapaciteti i stadiumeve është reduktuar në 50 për qind.

Tani klubet presin nga Lega Serie A për t’i dhënë të gjitha detajet për ndryshimin e datës, i cili nuk duket të jetë shumë i vështirë nëse të dy klubet janë dakord.

Kampionët në fuqi të Serie A dhe fituesit e Kupës së Italisë përballen për të vendosur Superkupën, një ndeshje që deri vonë luhej në gusht, pak para fillimit të sezonit.

Vitet e fundit, kjo ka ndryshuar në dhjetor ose janar, dhe përballja e këtij sezoni ishte caktuar në “San Siro” më 12 janar.

Megjithatë, burimet e “Football Italia”, thonë se Inter dhe Juventus kanë rënë dakord që të shtyjnë ndeshjen deri në fund të këtij sezoni.

Kjo është nxitur pjesërisht nga ndryshimi i situatës, sepse vala e rasteve me COVID-19 në Itali ka bërë që stadiumet të reduktohen nga 75 për qind në 50 për qind.

Kjo po shkakton probleme në të gjithë ligën, me tetë klube të Serisë A që sot ndaluan shitjen e biletave për ndeshjet e ardhshme.

Sa i përket Superkupës, dy klubeve do t’u kushtonte rreth 1.5 milione euro të ardhura duke ulur pjesëmarrjen në 50 për qind të kapacitetit. /Telegrafi/

Exit mobile version