Site icon Telegrafi

Zvicra do t’i ndajë 20 milionë franga Kosovës për menaxhimin e resurseve ujore

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, së bashku me këshilltarin e tij të jashtëm, i cili vjen nga Zvicra, Pierre Kohler dhe këshilltarin e Këshillit Ndërministror për Ujëra Baton Begolli kanë pritur në takim ambasadorin e Zvicrës, Jean-Hubert Lebet , ku biseduan për sfidat e sektorit të ujërave dhe shkëmbimin e ideve për ndërmarrjen e iniciativave të ndryshme në përmirësimin e sektorit të ujit në vend.

Ministri Matoshi prezantoi para ambasadorit zviceran sfidat dhe projektet që MMPH po implementon në përmirësimin e ujërave, në ndërtimin e rezervave të reja ujore, rregullimin e shtretërve të lumenjve, ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza etj.

Nga ana tjetër ambasadori Lebet informoi ministrin Matoshi që Zvicra do të fillojë një programi 12 vjeçar me vlerë prej 20 milionë franga për menaxhimin e integruar të resurseve ujore në Kosovë.

Temë tjetër e takimit ishte mbarëvajtja e takimit të fundit të Këshillit Ndërministror për Ujërat ku Ministri shprehi interes që përkrahja ndaj Ministrisë në veçanti të jetë më e madhe për të përballuar sfidat e sektorit.

Ambasadori Lebet shprehi vlerësimin e tij se tani ka një partner të përkushtuar në Ministri dhe vlerësoi gatishmërinë e Ministrit në veçanti dhe kabinetit të tij për bashkëpunim.

Gjatë këtij takimi ministri Matoshi kërkoi nga ambasadori zviceran përkrahjen e shtetit që ai përfaqëson për t’i mundësuar Kosovës qasje tek institucionet ndërkombëtare dhe fondet për ujërat dhe ndryshimet klimatike ku Kosova fatkeqësisht ende nuk ka qasje direkte.
Në fund ambasadori zviceran premtoi që do të angazhohet në këtë drejtim që Kosova të marrë pjesë në iniciativa dhe mekanizma rajonal dhe global në fushën e mjedisit si dhe të përkrahet me fonde për mbrojtjen e mjedisit. /Telegrafi/

Exit mobile version