Zvicra rrezikon të mbetet pa sulmues për sfidën e parë të Evropianit ndaj Shqipërisë. Pas Breel Embolo dhe Eren Derdiyok, të cilët rrezikojnë të mungojnë për arsye dëmtimi, helvetikët mund të mbesin edhe pa Haris Seferovic.
Sulmuesi i Eintracht Frankfurtit mund të pezullohet nga UEFA me dy ose tri ndeshje. Arsye për këtë është gjuha fyese që ka përdorur ndaj gjyqtarit kryesor të miqësores Zvicër-Belgjikë, për çka edhe u ndëshkua me karton të kuq.
Lajmi u dha nga vet trajneri i kombëtares zvicerane, Vladimir Petkovic, i cili edhe e pranoi se e ka vënë në pozita shumë të vështira, transmeton Top Channel.
“Gjithçka do të varet nga raporti i gjyqtarit, por Seferovic rrezikon pezullimin”.
“Nëse kjo gjë ndodh, atëherë ai do të humbasë miqësoren ndaj Moldavisë dhe ndeshjen e parë të grupit ndaj Shqipërisë, por rrezikon të mos jetë as ndaj Rumanisë”, u shpreh përzgjedhësi i Zvicrës, duke kritikuar në një farë mënyre futbollistin e tij.