Përfaqësuesja e Zvicrës tre javë më parë ka publikuar listën preliminare me 38 futbollistë të ftuar për Euro 2024.
Por gradualisht kjo listë po shkurtohet dhe do të bie numri në 26 futbollistë që do të ftohen për Kampionatin Evropian.
Përzgjedhësi Murat Yakin ka bërë sërish reduktimin e listës, duke larguar edhe katër futbollistë, derisa në mesin e tyre ishin dy shqiptarë.
Fubollistët e larguar nga kampi zviceran janë Filip Ugrinic, Kevin Mbabu, Uran Bislimi dhe Albian Hajdari.
“Ata u përfshinë në mënyrë shembullore në grup, brenda dhe jashtë fushës dhe kontribuan për të siguruar që cilësia dhe intensiteti i dhjetë ditëve të fundit të stërvitjes të ishte shumë i lartë. Në fund të fundit, u dhashë përparësi lojtarëve të tjerë në pozicionet e tyre për arsye taktike dhe strategjike. Filipi ka shumë konkurrencë në mesfushë. Në anën e djathtë të mbrojtjes, i dhashë përparësi Leonidas Stergiou, i cili e mbylli sezonin e tij bindës në Stuttgart me një kualifikim në Ligën e Kampionëve dhe i cili mund të përdoret në mënyrë fleksibël si në mbrojtjen me tre lojtarë si qendërmbrojtës sesa në sistemet e tjera në anën e djathtë”, shpjegon Yakin për të justifikuar vendimin e tij.
E njëjta gjë vlen edhe për Uran Bislimin dhe Albian Hajdarin, të cilët ishin ende në garë të dielën me FC Luganon në finalen e Kupës së Zvicrës. “Kemi rënë dakord me ta që nuk do të udhëtojnë më në St. Gallen për ditët e mbetura të kampingut, por do të qëndrojnë individualisht në formë për të qenë gati nëse na duhen gjatë turneut”, shpjegon Yakin.
Siç ishte rënë dakord që në fillim, dje pas ndeshjes në Luzern u larguan nga skuadra edhe dy portierët Pascal Loretz dhe Marvin Keller. /Telegrafi/