Site icon Telegrafi

Zvicra godet mashtruesit kosovarë të aviobiletave

Policia e Zvicrës dhe ajo e Gjermanisë, ka rënë në gjurmë të një grupi të mashtruesve me aviobileta, të cilët ua kanë marrë paratë qytetarëve dhe nuk u kanë ofruar shërbime. Grupi në fjalë, përmes mesazheve telefonike, i ka joshur bashkatdhetarët tanë, duke iu ofruar aviobileta me çmime më të ulëta, sesa çmimi në treg.

Por, kur ka ardhur koha për të fluturuar drejt Kosovës, shumica e tyre me orë të tëra kanë mbetur nëpër aeroport, ku janë detyruar edhe një herë të blejnë aviobiletat për të ardhur në vendlindje. Javën e kaluar policia e kantonit të Zvicrës, kishte reaguar, duke treguar se kanë marrë ankesa të shumta nga pasagjerët kosovarë që jetojnë dhe veprojnë ne shtetin zviceran. Por, pavarësisht alarmit që u dha nga Zvicra, institucionet e relevante dhe përgjegjëse për aviacion në Kosovë nuk kanë marrë asnjë masë deri më tash.

Por, çuditërisht Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, ende vazhdon të rezervojë orare për këto agjenci, të cilat vetëm se janë bërë të ditura se po mashtrojnë bashkatdhetarët tanë përmes këtyre ofertave mashtruese me anë të mesazheve telefonike. Vetëm sivjet dyshohet se grupi në fjalë ka shitur më shumë se 5 mijë aviobileta kthyese nga Zvicra dhe Gjermania të cilat për destinacion kanë Kosovën.

Bazuar në të dhëna zyrtare vetëm gjatë javës që po e lëmë pas, në aeroportin e Dyseldorfit, janë anuluar dhjetëra fluturime drejt Aeroportit të Prishtinës. Por, në bazë të një hulumtimi, gazeta “Zëri” ka identifikuar se agjencia, e cila mashtroi mijëra bashkatdhetarë nga Zvicra dhe Gjermania është “Dardania Airways”. /Zëri/

Exit mobile version