Zvicra është shteti i parë në botë ku sot përmes referendumit duhet të vendosë nëse duan të ndalojnë apo lejojnë testimet e ndryshme në kafshë. E qytetarët do të sqarohen edhe rreth tri çështjeve tjera.
Ato janë çështja e rregullave më strikte ndaj reklamimit të cigares, mosfinancimi apo ndihma financiare shtetërore për mediat lokale, dhe taksat mbi pronë transmeton Telegrafi.
Aktivistët që kundërshtojnë kryerjen e eksperimenteve të shumta mbi minjtë dhe kafshët e tjera, janë edhe nismëtarët e këtij referendumi. Numri i madh është i atyre që i kundërshtojnë ato masa dhe që kryesisht punojnë në industrinë farmaceutike.
Në mesin e kundërshtarëve janë edhe kompanitë e mëdha Roche dhe Norvatis, nga të cilat kanë bërë të ditur se hulumtimet të tilla janë të nevojshme për zhvillimin dhe prodhimin e ilaçeve të reja. Ata që kundërshtojnë këtë ndalesë konsiderojnë se shikuar në aspektin etik është e papranueshme të kryhen testimet mbi kafshët.
Sipas të dhënave të organeve kompetente, në Zvicër gjatë vitit 2020 kanë humbur jetën gjysmë milionë kafshë nëpër laboratorë të ndryshëm ku kryhen eksperimente.
E rregullat më strikte sa i përket reklamimit të cigareve do të përkrahet nga masa. Një anketë e realizuar së fundmi ka treguar se 63 për qind e zviceranëve përkrahin këtë masë.
Nëse një gjë e tillë ndodhë, do të ndalohet reklamimi i cigare nëpër gazeta, internet dhe evente të ndryshme e në veçanti nëpër billboard. Konsiderohet se me reklamim nxit të rinjtë të fillojnë pirjen e duhanit.
Një çështje tjetër që do të sqarohet me referendum është ajo nëse shteti duhet të ndihmojë me 163 milionë dollarë punën e të përditshmeve lokale, radiostacionet – që po kërcënohen me mbyllje. Kundërshtarët e këtij propozimi konsiderojnë se me këtë rrezikohet pavarësia e mediave.
Sipas të dhënave të transmetuesit publik zviceran (SRG), kundër këtij propozimi janë 49 për qind e qytetarëve, ndërsa 46 ata që e përkrahin. /Telegrafi/