Gjatë protestës në Zveçan, një grup kriminal ka sulmuar dhe dëmtuar veturat e mediave nga Shqipëria.
Serbët kanë dëmtuar veturat e TopChannel dhe Euro News Albania, transmeton Telegrafi.
Gjatë ditës, ata kanë dëmtuar edhe veturat e mediave kosovare, ku për këtë ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
AGK gjithashtu ka reaguar edhe për dëmtimin e veturave të mediave nga Shqipëria.
“Një veturë e mediumit Top Channel është vandalizuar sot nga protestuesit në Zveçan. Me këtë veturë me të cilën po udhëtonin katër gazetarë të medieve të ndryshme, është vandalizuar me sloganin nacionalist, si dhe me qëllimin që të mos mund ta ngasin më tej”, thuhet në reagim.
Tutje, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës thotë se po i përcjell me shqetësim zhvillimet në këto komuna, dhe u bën thirrje kolegëve gazetarë, kameramanë dhe fotoreporterë që të kenë kujdes të shtuar gjatë raportimit, dhe t’i respektojnë udhëzimet e zyrtarëve të Policisë së Kosovës për perimetrin e raportimit.
“AGK-ja, sërish u bën thirrje prezencës ndërkombëtare në Kosovë, NATO dhe EULEX, që të mundësojnë raportim të sigurtë dhe pa u penguar të medieve”.
Serbët në veri janë duke mbajtur protesta kundër kryetarëve të rinj shqiptar, në mëngjes ata kanë tentuar të hyjnë në objektin e komunës së Zveçanit, por që janë ndaluar nga Policia e Kosovës. /Telegrafi/