Telegrafi

Zv.ministri Vokrri: E ftova Arsenijeviqin për kafe në jug, për t’i treguar që jemi shoqëri demokratike

Zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, sikurse edhe kryeministri Kurti dhe ministri Elbert Krasniqi dy ditë më parë, është fishkëlluar nga politikani serb, Aleksandar Arsenijeviq, në pjesën veriore të Mitrovicës.

Vokrri tha se këtë vizitë e cilëson paksa të çuditshme.

“Isha i shoqëruar nga një ekip televiziv, ramë në sy të një grupit të vogël të disa OJQ-istëve që veprojnë në veri, në emër të qytetarëve serb, që sa herë shfaqet ndonjë zyrtar i lartë i shtetit e kanë bërë zakon të fishkëllojnë”, tha Vokrri, për RTV Dukagjini.

Vokrri tha se ka kundërshtuar insistimet e tyre që thonë se qeveria bënë propagandë, teksa shtoi se protestuesit i ka ftuar për kafe, që të shohin që “jemi shoqëri demokratike”.

“I kundërshtova insistimet e tyre që qeveria jonë bënë propagandë se nuk e ka hallin e qytetarëve serb, i ftova që nëse janë të interesuar ta testojnë se çfarë shoqërie demokratike jemi të vijnë me mua edhe në pjesën jugore me fishkëllimat e tyre të pimë nga një kafe së bashku.”

E për këtë, Vokrri thotë se Arsenijeviq deshi t’i përgjigjej ftesës, por sipas tij, “policia vlerësoi se duke pasur përvoja me të ai mund të provokojë përtej të pranueshmes. Gjykuan që ai më mirë është të kthehet në pjesë veriore”.

Ai tha se serbëve në veri iu bëri me dije se ishte atje për të dëgjuar edhe kërkesat e tyre

“I njoftova se unë dhe kolegët e mi luftojmë për të drejtat tuaja, e jam i lumtur që keni mundësinë e botës që të shfaqni çfarëdo pakënaqësie që keni dhe të mos keni frikë që do tu ndodhë dicka e keqe”, shtoi Vokrri. /Dukagjini/