Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka sqaruar se çfarë mund të ndodhë nëse kryeministri Albin Kurti refuzon të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit në Prokurorinë Speciale.
Sallahu, përmes një postimi në Facebook, ka komentuar nenin 132 të Kodit për Procedurën Penale lidhur me mosparaqitjen e dëshmitarit.
“Janë dy situata që i rregullon neni 132 i Kodit për Procedurën Penale lidhur me mosparaqitjen e dëshmitarit për të dëshmuar: E para, ka të bëj për mosparaqitje. E dyta, për refuzim të dëshmisë”, ka shkruar Sallahu, transmeton Telegrafi .
Tutje ai ka thënë se “sipas paragrafit të parë të nenit 132 të KPK-së, për mosparaqitje, mund të dënohesh nga gjyqtari i procedurës paraprake vetëm (jo me burg) me gjobë”.
“Pra, për secilën mosparaqitje dënohesh deri në 250 euro. Kësisoj, për mosparaqitje, dënimi shqiptohet vetëm me gjobë dhe se është përfundimtar, e i vazhdueshëm derisa nuk paraqitesh. Nëse paraqitesh, por nuk dëshmon së pari dënohesh me gjobë deri në 250 euro dhe më pastaj dënohesh me burg deri në 1 muaj. (shih pjesën e fundit të paragrafit 1 dhe paragrafin 2 të nenit 132)”.
Sallahu ka sqaruar se “pas mbajtjes së dënimit efektiv (me burg) gjyqtari nuk mund të urdhërojë dëshmitarin për të dëshmuar për rastin identik”.
“Secili vendim tjetër i gjykatës, është shkelje brutale e lirive dhe të drejtave të njeriut të përcaktuar me Kushtetutë dhe konventa ndërkombëtare!”, ka shkruar ai.
Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar urdhër me të cilin e obligon kryeministrin Albin Kurti që të paraqitet më Prokurorinë Speciale, në cilësinë e dëshmitarit për çështjen e rezervave shtetërore.
Urdhri për tu paraqitur kryeministri Krti në prokurori si dëshmitar vjen në ditën kur Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se i është drejtuar përmes një letre Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke kërkuar që ta obligojë Prokurorinë Speciale që të marrë dëshminë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, brenda zyrës së tij në Qeveri.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar se gjyqtari i procedurës paraprake ka lëshuar urdhrin për dëshmi duke u bazuar në kërkesën e Prokurorisë Speciale.
“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me Urdhër të gjykatës të datës 21.02.2025 ka obliguar dëshmitarin A.K., që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 28.02.2025, përmes emalit ka pranuar përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit, lidhur me Urdhrin e lartë-theksuar të gjykatës”, ka thënë Gashi.
Më 19 shkurt, Gjykata Themelore konfirmoi se Prokuroria Speciale i ka kërkuar asaj që ta urdhërojë kryeministrin Kurti që të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore, pasi Kurti kishte refuzuar dy ftesat e mëparshme.
Ndërkohë, Zyra e Kryeministrit, përmes një shkrese drejtuar Gjykatës Themelore ka kërkuar që të obligojë Prokurorinë Speciale të marrë dëshminë e kërkuar brenda zyrës së kryeministrit, Albin Kurti, lidhur me çështjen e rezervave shtetërore.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka njoftuar se Kurti nuk ka refuzuar që të japë dëshminë e tij në lidhje me çështjen në fjalë, por që kërkon që intervistimi të bëhet në zyrën e kryeministrit, transmeton Telegrafi.