Site icon Telegrafi

Zv/ministri për Komunitete Milazim Gashi: Me Listën Serbe, Kosova mund të zgjidh problemin e serbëve më lehtë

Zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim në detyrë, Milazim Gashi, ka thënë se Lista Serbe ka nxjerrë jashtë loje subjektet tjera serbe të Kosovës.

Gashi në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se Lista Serbe mblodhi pjesën dërmuese të partive serbe të Kosovës madje mori edhe malazezët dhe u fuqizua shumë.

Ai ka thënë se SLS e Petkoviqit nuk është aktive si parti prandaj thotë se ka pasur një dominim të Listës Serbe.

“SLS mund të kërkojë votat e saja, por nuk mund ta eliminojmë Listën Serbe e cila ka 10 deputetë”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Gashi ka thënë se Petroviqi nuk mund të shkojë në serbi pasi sipas tij “është i linjës së SPS, ndërsa të tjerët linja demokratike [Lista Serbe dhe Partia e Vuçiqit].

Ai ka thënë se 40% e serbëve nuk janë të pozicionuar mes Listës Serbe dhe partive tjera serbe në Kosovë.

Gashi ka thënë se në Kosovë janë provuar formacione të ndryshme të partive serbe në politikë, por asnjëra deri më tani nuk kanë mundur të strukturojnë serbët e Kosovës.

“Ne kemi nevojë të mbarojmë çështjen me serbët e Kosovës. Nuk kemi kohë të presim. Me Listën Serbe është më lehtë të përmbyllim këtë çështje”.

Zëvendësministri për Komunitete për Kthim në detyrë ka thënë se nuk është mirë që Lista Serbe të mos jetë në qeveri, pasi sipas tij “nuk duhet të kthehet viti 1999 në veriun e Kosovës”.

“Nëse Lista serbe nuk futet në qeveri luftë ndoshta nuk bëhet por tensione do të ketë”.

Gashi ka thënë se nuk do të ketë më ministër serb në qeverinë e Kosovës e që do të jetë rezident në Serbe./Telegrafi/

Exit mobile version