Rritja e pagës për kryeministrin dhe kabinetin qeveritar, tashmë varet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Madje kësaj duhet t’i nënshtrohet edhe ministri i Financave.
Zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, ka thënë se kjo çështje është lëndë që do të trajtohet në Gjykatën Kushtetuese.
Ai ka thënë se nuk e di që ministri i Financave, Bedri Hamza ka marrë një vendim për mos ekyekutim të vendimit.
“Derisa Gjykata Kushtetuese nuk e jep gjykimin e saj për rritjen e pagave, ministri nuk mund ta ekzekutojë vendimin në fjalë”, tha Gashi për Telegrafin.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se dje e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese vendimin e Ramush Haradinajt për rritjen e pagave të gjithë kabinetit të tij.
Ajo në profilin e saj në Facebook ka shkruar se ky vendim i kryeministrit është jokushtetues.
“Vendimin e kundërligjshëm dhe të padrejtë për rritjen e pagave në emër të deputetëve të grupit tonë parlamentar, si dhe me mbështetjen e tre deputetëve tjerë të opozitës, sot e kam dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese. Ky vendim është jokushtetues edhe për shkak se ka ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit si autoritet legjitim, por edhe për shkak se është në shpërputhje me gjendjen socioekonomike. Pas vendimit të drejtë të AKK-së edhe Gjykata Kushtetuese duhet së pari të vendosë për masë të përkohshme, pra ta pezullojë këtë vendim deri në shfuqizim të tij”, ka theksuar Haxhiu.
Mediat sot kanë raportuar se ministri i Financave, Bedri Hamza ka vendosur të mos e zbatojë vendimin e qeverisë për rritjen e pagave.
Ky hap vjen vetëm një ditë pas daljes së konstatimit të Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), se vendimi i marrë nga ekzekutivi është i kundërligjshëm.
Agjencia Kundër Korrupsionit e ka cilësuar të jashtëligjshëm vendimin për rritje të pagave nga ana e kabinetit qeveritar, të kryesuar nga kryeministri Ramush Haradinaj.
Sipas këtij agjencioni, zyrtarët e lartë publikë (kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe zëvendësministrat) që kanë votuar këtë vendim thuhet në një opinion të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, “kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, konkretisht me konfliktin e interesit ‘rast për rast’” dhe dispozitat tjera ligjore.
AKK rekomandon që “vendimi të kthehet në rishqyrtim, duke shfrytëzuar mënyra tjera ligjore të cilat nuk bien ndesh me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe legjislacionin tjetër relevant në fuqi”.
Ndryshe, javë më parë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, me një vendim ia ka dyfishuar vetes pagën dhe pesë zëvendëskryeministrave të vet, Tash e tutje paga e shefit të Qeverisë do të jetë 2950 euro.
Po ashtu, me vendim të tij, paga e zëvendëskryeministrit tash e tutje do të jetë 2500 euro, deri sa e ministrave nga 2000 euro.
Ndryshim të pagave kanë pësuar edhe disa zyrtarë të tjerë të Qeverisë. Vendimi për rritjen e këtyre pagave ka hyrë në fuqi nga 1 dhjetori i vitit të kaluar. /Telegrafi/