Në një situatë të trazuar, është ndjerë Mark Zuckerberg, drejtuesi dhe themeluesi i Facebook, të cilit i është dashur të raportojë përpara kongresit amerikan, në një seancë që me sa duket nuk ka qenë aspak e lehtë e ku i është dashur të konsumojë shumë ujë.
Pas akuzave për shpërndarje të lajmeve të rreme që sipas mediave amerikane kanë ndikuar fitoren e Trump, duket se ajo që e vuri Mark Zuckerbergun përpara faktit të kryer në senat, ishin të dhënat shqetësuese, që tregonin se Cambridge Analytica, firma këshilluese politike e Trump gjatë fushatës, kishte arritur të merrte të dhënat personale të 87 milionë përdoruesve në Facebook.
Nisur nga ky argument, senatori Dick Durbin e hapi seancën e tij me një pyetje mjaft pikante:
“Zoti Zuckerberg, a do të preferonit të ndanit me ne emrin e hotelit ku fjetët mbrëmë?”
Pas një pauze të gjatë dhe një të qeshure të mbytur, Zuckerberg u përgjigj që jo, ndërkohë që Durbin vazhdoi të pyesë duke i kërkuar Zuckerbergut të thotë nëse mund të ndajë me kongresin emrat e personave me të cilët ai kishte komunikuar me mesazhe këtë javë.
Dhe mori një tjetër jo.
Kjo është gjithçka për të cilën po flasim, u shpreh senatori.
Shefi i Facebook, përcjell opinion.al, dëshmoi përpara senatit amerikan se gabimet e privatësisë janë totalisht përgjegjësi e tij, ndërsa pranoi se tashmë është e qartë, që Facebook nuk ka bërë aq sa duhet për ta parandaluar këtë fenomen.
Ndonëse pyetjet dhe tematikat që iu drejtuan 33 vjeçarit miliarder ishin të shumta, gjithçka vërtitej tek zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe ndikimi i Rusisë.
Ndër të tjera Zuckerberg deklaroi se Facebook është duke punuar me këshilltarin special Robert Mueller, nuk u bë e qartë nëse ai ka marrë një fletëthirrje prej tij për këtë çështje.