Mark Zuckerberg thyen heshtjen mbi skandalin e të dhënave personale të mbledhura në Facebook.
“Kemi bërë gabime, ka ende shumë për t’u bërë. Jam përgjegjës për atë që ka ndodhur”, shkruan ai në postimin e tij.
Zuckerberg vendos të marrë përgjegjësinë për sa ndodhi, shpjegon kronologjinë e ngjarjeve, thotë se prej kohësh, masat e marra nga rrjeti social e bëjnë të pamundur shpërndarjen e të dhënave personale të përdoruesve.
“Kemi përgjegjësinë të mbrojnë të dhënat tuaja, e nëse nuk arrijmë ta bëjmë, nuk meritojmë të jemi në shërbimin tuaj”, shkruan Zuckerberg në postimin e tij, duke shpjeguar se është duke punuar “për të kuptuar se çfarë ndodhi me saktësi dhe duke siguruar se kjo gjë nuk do të ndodhë kurrë më”.
“Lajmi i mirë është që shumë masa për të parandaluar gjithë këtë, janë marrë vite më parë. Kemi bërë disa gabime, ka ende shumë për t’u bërë dhe duhet të bëjmë më shumë”, shtoi ai.
“Në vitin 2014, për të parandaluar abuzimin e aplikacioneve, njoftuam se po ndryshonim gjithë platformën për të reduktuar në mënyrë drastike qasjen në aplikacionet e të dhënave. Gjëja më e rëndësishme, aplikacione si Kogan nuk mund të kërkonin më të dhëna për miqtë e një personi, vetëm në rastin se miqtë e tyre nuk kishin autorizuar aplikacionin. U kemi kërkuar gjithashtu zhvilluesve të merrnin miratimin nga ana jonë përpara se t’u kërkonin të dhëna të ndjeshme personave. Këto masa do të pengonin çdo aplikacion si Kogan për të pasur kaq shumë të dhëna sot. Kam krijuar Facebook dhe jam përgjegjës për atë që ndodh në platformën tonë”, pohon Zuckerberg, i cili siguron se është duke u përpjekur t’i rregulloja gjërat me seriozitet.
Ai premton se një skandal si Cambridge Analytica “nuk do të ndodhë më kurrë”.
Në fund Zuckerberg njofton për hapat e ardhshëm të kompanisë, duke nisur nga një hetim i thellë mbi gjithë aplikacionet që kanë pasur akses në të dhënat e Facebook, veçanërisht ato para vitit 2014.
“Ne do t’i ndalojmë zhvilluesit që nuk do të pajtohen me rregullat tona”, shpjegon Zuckerberg, duke siguruar që numri i tyre do të kufizohet për të shmangur abuzimet në lidhje me privatësinë.
Në këtë drejtim, Zuckerberg shpjegon se numri i të dhënave personale që duhet të jepen për të hyrë në një aplikacion do të reduktohet me emrin, foton dhe adresën e email-it – asgjë më shumë.