Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) është duke raportuar në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti pas situatës së krijuar nga Aktvendimi i Gjykatës së Apelit për tarifat e energjisë elektrike.
Mirëpo, raportimi i ZRRE-së është duke ndodhur pa prezencën e medieve.
Po ashtu, ky Komision ka proceduar për në Kuvend Projektligjin për Markën Tregtare dhe të Drejtat që rrjedhin nga marka tregtare.
Ditë më parë, Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për bllokimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike të vendosura nga ZRRE-ja.
Apeli thotë se ka gjetur se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike dhe drejtë ka zbatuar dispozitat procedurale dhe materiale me rastin e aprovimit të kërkesës së paditësit.
“Është refuzuar si e pabazuar ankesa e të paditurës – kundër propozues Zyra e Rregullatorit për Energji, me arsyetimin se janë të drejta dhe të ligjshme qëndrimet e gjykatës së shkallës së parë dhe se në rastin konkret janë plotësuar kushtet për shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ të paraparë me nenin 22 paragrafi 2 dhe 6 të Ligjit për Konfliktet Administrative”, thuhet në vendimin e Apelit, shkruan Telegrafi.
ZRRE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike. Me këto tarifa, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800kWh rrymë në muaj, paguajnë më shtrenjtë. Sipas llogaritjeve të ZRRE-së, rreth 20 për qind e konsumatorëve shpenzojnë më shumë se 800kWh në muaj. /Telegrafi/