Site icon Telegrafi

“Zorba”, nga romani në film

Nga: Daut Dauti

Shkrimtari grek Nikos Kazantzakis (1883-1957), është nominuar nëntë herë për çmim Nobel për Letërsi, por pa sukses. Megjithatë, në letërsinë botërore është shkrimtari më i njohur dhe më i adhuruar grek.

Lindi në Kretë kur ky ishull ishte nën sundim otoman. Nën atë sundim e kaloi fëmijërinë. Pasi i kreu studimet për Drejtësi në Athinë, nisi ta shëtiste botën e të shkruante. Kur e arriti pjekurinë e shkrimtarit, u bë kritik i ashpër i Kishës Ortodokse Greke dhe i prapambeturisë së grekëve. Kjo bëri që Kazantzakis të urrehej nga grekët, edhe pse të gjithë e lexonin.

Sipas shkrimeve të tij, Kisha ishte larguar nga roli esencial i saj dhe zakonet e vjetra e pengonin popullin që të përparonte.

Ai ka qenë pra jashtë kornizave që i kërkonte shoqëria greke e asaj kohe. Nuk e kritikonte sundimin otoman dhe turqit, siç e kërkonte trendi në Greqi që ishte fashist në këtë aspekt.

Sipas historisë, Kazantzakis lindi në një fshat bregdetar që ishte themeluar nga arabët dhe kjo ishte arsyeja se pse disa thoshin se nuk është grek, por ‘saraçen’ (arab).

Sidoqoftë, gjatë Luftës së Dytë Botërore u izolua dhe i shkroi disa romane, përfshirë romanin “Jeta dhe koha e Aleksis Zorbas”. Romani u botua në vitin 1946 dhe deri sot është përkthyer në 50 gjuhë. Por, Kazantzakis në Greqi dhe në botë u popullarizua më shumë pas vdekjes. Sidomos kur u xhirua filmi “Zorba the Greek” (Greku Zorba) dhe “The Last Temptation of Christ” (Tundimi i fundit i Krishtit), të bazuara në dy romanet e tij që u bënë ndër filmat më të shikuar në botë. Ky rast vërteton se filmi arrin audiencë më të madhe sesa romani. Prandaj, ndikimi i filmit është më i madh.

Në filmin për Zorbën, ngjarja ka të bëjë me një shkrimtar anglez (me prejardhje greke), i cili kthehet në Kretë për t’i ikur bllokimit që po e përjetonte si shkrimtar, e ndërkohë të investonte në një minierë në fshatin ku kishte lindur babai i tij. Regjinë e filmit e ka bërë greku qipriot Michael Kakojanis, kurse në rolet kryesore paraqiten Anthony Quinn, Alan Bates, Lila Kedrova, Irene Papas dhe Sotiris Moustakas. Përndryshe, këta aktorë kanë qenë dhe ende mbeten ndër më të njohurit në kinematografinë botërore. Filmi është shpërblyer me dy çmime Oscar.

Për shkrimtarin anglez që kishte rrënjë greke, fshati është një botë tjetër, e panjohur dhe e pa akceptuar. Shoqëruesi i tij, Zorba, vjen nga Maqedonia greke dhe është i pazakonshëm. Në fshat jeton edhe një kurtizane franceze, në një shtëpi të cilën ajo e konsideron si hotel. Një e vejë e fshatit, shumë e bukur (Irena Papas), është po ashtu ndër personazhet kryesore. Të gjithë burrat e fshatit kanë dëshirë të flenë me vejushën, por ajo i refuzon. Ajo e refuzon edhe një djalë të ri të dashuruar në të, sepse asaj i pëlqente shkrimtari anglez. Për këtë arsye djaloshi bënë vetëvrasje. Në ceremoninë mortore, vejushën nuk e lejojnë që të hyjë në kishë. Fshati e linçon, meqë e konsiderojnë si grua të pamoralshme. Babai i djaloshit që bëri vetëvrasje, ia këput vejushës kokën me thikë. Ky është dënimi që shpallë fshati.

Kur vdes kurtizania të cilën fshati e konsideronte si lavire të pamoralshme, krijohen skena e tmerrshme. Para vdekjes atë e ngushëllonte vetëm Zorba i cili pranoi të martohej me të. I tërë fshati – burra, gra e fëmijë – e rrethojnë shtëpinë e saj për ta plaçkitur, meqë nuk ka trashëgimtarë dhe është “lavire”. Plakat hyjnë në dhomën e kurtizanes për t’ia grabitur rrobat personale, teksa ajo po jepte shpirt e shtrirë në shtrat. Ende pa i mbyllur sytë, në shtëpinë e saj mbeten vetëm muret dhe shtrati ku kurtizania qëndronte e vdekur. Pastaj, fshatarët bëjnë festë në oborrin e saj.

Duke u larguar, anglezi e pyet Zorbën:”Kush do ta varros kurtizanen”? Zorba përgjigjet “Askush për shkak se ka qenë katolike dhe kisha jonë nuk i varros këta njerëz”!

Më në fund, projekti për ndërtimin e teleferikut dështon, përkundër përurimit fetar që bëjnë priftërinjtë. Megjithatë, anglezi dhe Zorba festojnë me mish qengji dhe në fund e kërcejnë vallen e cila tashti në botë njihet me emrin “Zorba”.

Kur në vitin 1964 u dha premiera e filmit, njëkohësisht në Paris, në Nju-Jork dhe në Athinë, grekët u shtangën. Kisha e tyre dhe populli paraqiteshin si më keq. Puna shkoi deri te diskutimet në Parlamentin grek që zgjatën për dy vjet. Megjithatë, një numër jo i vogël i intelektualëve grekë filmin e morën si kritikë me vend. Të tjerët e akuzuan regjisorin Michael Kakojanis – që kishte bërë edhe skenarin – se këto dukuri i kishte paraqitur më ashpër seç i kishte shkruar Kazantzakis në roman.

Ndoshta Kazantzakis nuk ka qenë kaq i ashpër, por esenca e kritikës së tij në roman ishte mu ajo që paraqitej në film. Porosia e filmit është si ajo e romanit: Zakonet e vjetra dhe devijimi i Kishës e pengojnë zhvillimi dhe se askush, asnjë popull, nuk duhet ta fajësojë dikën tjetër për prapambeturinë e vet. Prandaj, Kazantzakis u bë i madh sikurse regjisori Kakojanis. Natyrisht, sot ky film nga grekët shihet me sy tjetër nga ai i vitin 1964.

Kazantzakis vdiq në Gjermani. Kur e sollën trupin e tij në Greqi, Kisha refuzoi ta varroste. Por, priftërinjtë hoqën dorë nga kjo fal presionit të mediave dhe të intelektualëve grekë. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version