Dy zonat ekonomike në komunën e Mitrovicës, Parku i Biznesit dhe Parku Industrial, shihen me rëndësi të madhe në zhvillimin ekonomik, sidomos për faktin se ky qytet ka qenë me papunësi shumë të madhe dhe me një varfëri të theksuar.
Rrustem Abiti, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Zhvillim Socio-Ekonomik ‘Diagrami’ në Mitrovicë, ka thënë për KosovaPress, se këto dy zona ndikojnë në zhvillimin ekonomik, jo vetëm të Mitrovicës, por edhe më gjerë.
Sipas tij, vetëm në Parkun e Biznesit operojnë 22 biznese kryesisht të vogla dhe të mesme, në të cilat janë të punësuar mbi 100 punëtorë me të ardhurat e të cilëve mbajnë familjet e tyre.
Ai tha se këto biznese e kanë ndihmën e shtetit, sepse Ministritë e ndryshme për çdo vit ndajnë grante apo subvencione nga të cilat kompanitë afariste që janë këtu mund të përfitojnë.
‘Zonat ekonomike ndikojnë në zhvillimin ekonomik në përgjithësi në Mitrovicë, por edhe në nivel vendi… Ky vend ku ndodhemi është… zona e parë ekonomike që është licencuar në vitin 2012 dhe tani këtu operojnë 22 biznese. Pothuajse të gjitha zhvillojnë aktivitete ekonomike të suksesshme, ka prej tyre që bëjnë edhe eksporte,… Janë kryesisht biznese të vogla dhe të mesme, munden me qenë diku mbi 100 të punësuar…
Këto biznese e kanë ndihmën e shtetit nëse dinë me kërkuar atë. Shumë Ministri për çdo vit ndajnë grante apo subvencione për zhvillimin e bizneseve dhe këto biznese nëse janë të gatshme me projektet e tyre, mund të përfitojnë nga ato grante dhe thirrje që i shpallin’, ka thënë Abiti.
Drejtori i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik dhe Turizëm në Mitrovicë, Elvis Feka, theksoi angazhimin e komunës në fuqizimin e këtyre zonave ekonomike, teksa përmendi potencialin e madh që kanë këto zona në zhvillimin e bizneseve dhe të ekonomisë në përgjithësi në Mitrovicë.
Feka bëri të ditur angazhimin në parcializimin e pronave të bizneseve në Parkun e Biznesit, duke ju vazhduar kontratat për 99 vjet, ndërsa tha se përparësia e Parkut Industrial është se parcelat për biznese të ndryshme në këtë zonë, përveç që janë dhënë në shfrytëzim afatgjatë, nuk kanë kosto të qerasë.
‘Jemi angazhuar shumë që me i fuqizu zonat ekonomike të cilat i kemi veç të themeluara… ‘Parku i biznesit’ në të cilën janë 22 biznese aktive i ka sfidat e veta të organizimit dhe me pronat të cilat janë aty dhe jemi duke punuar në procesin e parcializimit të atyre zonave që me iu vazhduar kontratat në bazë të ligjit për zonat ekonomike për 99 vjet.
Ndërsa, sa i përket zonës ekonomike në Frashër, e cila i ka 48 hektarë, është një potencial mjaft i madh për neve si komunë, por edhe për bizneset e qytetit tonë, që me iu ofru hapësirën për investime kryesisht në veprimtaritë prodhuese dhe përpunuese të qytetit tonë.
Në këtë zonë janë vendosur 28 biznese që kanë pasur kontratë, ndërsa ne si qeverisje kemi hapur thirrje edhe për 14 parcela tjera të cilat veç janë në proces të dhënies dhe në proces të ligjshmërisë nga MAPL-ja. Përparësia e kësaj zone është se parcelat jepen në shfrytëzim afatgjatë dhe nuk ka kosto për parcelat që bizneset i marrin’, sqaroi drejtori Feka.
Në anën tjetër, Gëzim Jupolli, drejtor operativ në shtypshkronjën ‘Vip Print’ që operon në kuadër të Parkut të Biznesit në Mitrovicë, tha se kompania në të cilën punon, është duke zhvilluar biznes mjaft të suksesshëm.
Sipas tij, këtu janë të punësuar rreth 70 punëtorë të cilët punojnë në tre ndërrime, ndërsa ofrojnë shërbime për klientë gjithandej Evropës dhe SHBA-së.
Jupolli përmendi ndihmën e shtetit për të cilën tha se nuk ka munguar asnjëherë, por ka potencuar mungesën e stafit profesional ndër pikat më sfiduese të kësaj Kompanie.
‘Numri i punëtorëve te ne është afërsisht shtatëdhjetë. Është Kompani ku shumica e departamenteve funksionojnë në tre ndërrime… Ndihma e shtetit ndaj Kompanisë tonë është shumë e madhe, do të thotë relacioni ‘Vip Print’ dhe shtet, është si në aspektin e klientit po ashtu edhe në atë përkrahës.
Ne punojmë për Ministri të ndryshme, ofrojmë shërbime për ta, dhe në të njëjtën kohë nëse na duhet përkrahja prej shtetit gjithsesi qeveria ose Ministritë e ndryshme ofrojnë përkrahje për neve si kompania. Shumica e standardizimeve ose ISO standardeve që i kemi në prodhim, janë të përkrahura nga shteti ose qeveria… Sfidë e kemi stafin professional…
Kjo na ka detyruar të dërgojmë në shkollim ose në trajnime të ndryshme stafin lokal këtu, ose sigurojmë kuadro prej vendeve tjera në mënyrë që t’i përmbushim kërkesat e klientëve. Klientët tonë nuk janë vetëm lokalë, janë brenda Evropës, Amerikës… Është ndër pikat më sfiduese që kemi, në mënyrë që të arrijmë në nivel me Kompanitë tjera botërore…
Makineritë funksionojnë brenda sistemeve që janë të certifikuara ndërkombëtarisht. Kompania jonë është e certifikuar edhe prej Fogres, që është autoriteti kryesor për kualitetin e shtypit’, tha Jupolli. /Kp/Telegrafi/