Kandidati për deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje, Avni Zogiani, ka thënë se pas 7 tetorit do të vërtetohet se institucionet kanë qenë të korruptuara.
Zogiani, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se premtimet e partive mund të jenë të ngjashme por ai thotë se vetëm Vetëvendosje mund të bëj ndryshimin.
“Të gjithë mund të pretendojmë Vetting, e dëgjova edhe zonjën Musliu që premtoi por vetëm ne do të bëjmë Vetting. Këta Vettingun nuk e kanë bërë prej 20 vitesh”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Ai ka thënë se Vetëvendosje është shumë e motivuar dhe ka arsye politike për ta bërë Vettingun pasi sipas tij nëse e bën këtë proces do të ndikojë të fitojë edhe një mandat tjetër në qeveri.
Kandidati për deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se perceptimi i qytetarëve për korrupsionin është shumë i drejtë pasi sipas tij qytetarët kanë dëgjuar mjaft shumë për aferat kurruptive si ajo e “Prontos”.
Zogiani ka thënë se kapja e shtetit është problem i madh, pasi sipas tij një numër i madh i politikanëve kanë emëruar familjarët në institucione publike.
“Ky është mashtrim i madh që po na bëjnë kur po flasin për luftën kundër korrupsionit. Këta kanë kapur të gjitha institucionet përfshirë edhe institucionet e drejtësisë”, tha ndër të tjera Avni Zogiani./Telegrafi/