Telegrafi

Zjarret në Rugovë – banorët e evakuuar nuk janë lejuar të kthehen ende në shtëpi, policia jep detaje

Zjarri në fshatin Shtupeq i Madh të Rugovës, ende nuk është vënë nën kontroll të plotë.

Sipas policisë, Drejtoria në Pejë, banorët e këtij fshati janë evakuuar nga shtëpitë e tyre për shkak të rrezikut që u kanosej disa shtëpive të fshatit nga zjarri.

“Deri sa në komunat tjera situatën e kemi nën kontroll, zjarri në fshatin Shtupeq i Madh ende nuk është venë nën kontroll të plotë. Dje në orët e pas ditës pas rrezikut që u kanosej disa shtëpive të fshatit nga zjarri, banorët janë evakuar nga to me qellim të vetëm ruajtjen së jetës se tyre. Të njëjtit ende nuk janë lejuar të kthehen në shtëpitë e tyre, pasi që rreziku ende nuk ka kaluar, andaj kërkojmë mirëkuptim nga ana e tyre”, thuhet në njoftim.

Lexo po ashtu Burgim deri në 10 vjet për zjarrvënie të qëllimshme

Tutje, policia ka apeluar tek qytetaret të cilët frekuentojnë zonat malore të rajonit të Pejës, e në veçanti Bjeshkët e Nemuna, që maksimalisht të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen çdo gjëje që mund të aktivizojë zjarre gjatë përdorimit si (shkrepsa, cigare, grilla, zjarre në natyrë etj.)

Po ashtu policia kërkon nga qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë apo lajmërojnë PK-së për çdo person të dyshuar që mund të jetë i përfshirë në raste të zjarr vënieve, njofton Telegrafi.

Për zjarrvënie të qëllimshme, në dy ditët e fundit, Policia e Kosovës ka arrestuar tri persona.

Zjarrvënia e qëllimshme është vepër penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas nenit 322 të këtij kodi, kjo vepër penale është e dënueshme nga 6 muaj deri në 10 vjet burgim, varësisht formës së kryerjes së përcaktuar në kod.

“Nëse si rrjedhojë e zjarrvënies vije deri te humbja e jetës së ndonjë personi, Kodi Penal ka përcaktuar se kryerësi mund të dënohet edhe me burgim të përjetshëm”, thuhet në kod.