Pasditen e sotme zjarri ka përfshirë objektin e Fakultetit të Shkencave Matematikore Natyrore dhe atë të Filologjisë, ndërsa shkaku i zjarrit dyshohet të jetë djegia e mbeturinave.
Për të parë se çfarë ka ndodhur për nga afër, doli edhe ministri i Arsimit, Shkencës, dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, i cili tha se janë të interesuar që t’i dinë shkaqet pse ka ardhur deri tek zjarri, pasi që deri tani nuk e dinë saktësisht se si ka ardhur deri tek kjo situatë.
Ai tha se nga zjarri nuk janë shkaktuar dëme të mëdha, përveç në pjesën e jashtme të objektit të Fakultetit të Filologjisë dhe FSHMN-së.
“Akoma nuk është saktësuar se si ka ardhur deri tek kjo situatë, megjithatë besoj se shumë shpejtë do të kemi informacionet nga personat kompetent, së pari jemi të interesua t’i dimë shkaqet pse ka ardhur deri tek kjo pastaj duhet ta vlerësojmë edhe dëmin. E mira është se sipas informacionit që po na jep dekani nuk ka ndodhur ndonjë dëm brenda objektit, gjithçka është jashtë objekteve”, tha ai.
Edhe dekani i Fakultetit të Shkencave Matematikore Natyrore, Tahir Arbneshi tha se shkaku i zjarrit dyshohet të jenë mbeturinat që janë afër objektit të Fakultetit të FSHMN-së dhe Filologjisë.
“Ne e kemi vërejtur që po shkaktohet një zjarr i kemi lajmëruar menjëherë zjarrëfiksat. Ata kanë ardhur menjëherë. Ne konsiderojmë se është një dëm i shkaktuar prej mbeturinave që janë të vendosura shumë afër objektit të Fakultetit të Shkencave dhe Fakultetit të Filologjisë“, tha ai.
Me të marrë informatën për zjarrin, zjarrfikësit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe e kanë shuar zjarrin, i cili kishte përfshirë fasadën e këtij objekti të UP-së. /Telegrafi/