Telegrafi

Zjarri më i madh në Kaliforni vazhdon të përhapet, publikohen imazhet e qytetit amerikan në flakë

Një zjarr i madh është rritur për 20 kilometra katrorë ndërsa përhapet në pjesë të Kalifornisë veriore.

Bëhet e ditur se zjarri i cili filloi të mërkurën në një sulm të dyshuar me zjarrvënie, ka djegur më shumë se 348,000 hektarë tokë në veri-lindje të Chicos.

Rreth 2,500 zjarrfikës po luftojnë ta shuajnë zjarrin i cili është ndezur nga terreni i pjerrët dhe rrëmbimet e erës.

Siç raportohet, një 42-vjeçar është arrestuar me dyshimin se ndezi zjarrin duke rrokullisur një makinë të djegur në një gropë pranë Alligator Hole në Butte County.

Tani është zjarri më i madh në shtet këtë vit dhe ka përfshirë një zonë më shumë se 1.5 herë më të madhe se pesë bashkitë e qytetit të Nju Jorkut.

Autoritetet shpresojnë se mund të përdorin lehtësimin e kushteve për të kontrolluar një pjesë të tij, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

Kjo pasi shpejtësia e erës u ul dhe temperaturat ranë, por ende në disa zona qëndrojnë të larta deri në 32 gradë Celsius.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në qarqet Butte dhe Tehama.

“Ne po përdorim çdo mjet të disponueshëm për të mbrojtur jetët dhe pronat pasi ekipet tona të reagimit ndaj zjarrit dhe emergjencave punojnë gjatë gjithë kohës për të luftuar këto zjarre sfiduese”, tha ai në një deklaratë.

Të paktën 16 helikopterë po luftojnë zjarrin, si dhe cisterna të shumta ajrore që hedhin ujë nga qielli.

Zjarri ka detyruar evakuime të detyrueshme në Butte, ku zjarri më vdekjeprurës i Kalifornisë, Camp Fire, vrau më shumë se 80 njerëz në vitin 2018.

Ndërkohë, popullsia e Cohasset tashmë është zhvendosur pasi zjarri po digjet jashtë kontrollit, me 134 struktura të dëmtuara dhe banorët nën kërcënim.

Ky zjarr është vetëm njëri nga shumë që digjen aktualisht në SHBA dhe Kanada.

Qendra Kombëtare Ndërinstitucionale e Zjarrit po monitoron aktualisht 102 zjarre të mëdha në SHBA, kryesisht në shtetet në bregun perëndimor. /Telegrafi/