Telegrafi

Zjarri djeg katër objekte në tregun e Prizrenit, pronarët thonë se dëmet janë të konsiderueshme

Një zjarr i madh ka përfshirë në orët e hershme të mëngjesit të sotëm një pjesë të tregut “Fatoni” në Prizren.

Pronarët thonë se zjarri ka shpërthyer rreth orës 06:00 të mëngjesit të sotëm, duke djegur në tërësi mallin kryesisht tekstil, dhe pajisjet që posedonin ata brenda objekteve me strukturë metalike.

Ata dyshojnë se zjarri ka ndodhur si pasojë e problemeve me energjinë elektrike.

Pronarët e objekteve të djegura, shpresojnë se për dëmet e shkaktuara që janë të konsiderueshme do të kompensohen nga organet kompetente komunale.

Policia e Kosovës njofton se në vendngjarje ku kishte shpërthyer zjarri, kishin dalur menjëherë policia, zjarrfikësit dhe zyrtarët kompetent të drejtorisë për Emergjenca dhe Siguri në Prizren.

Zëdhënësi Vesel Gashi  tha se komisionet përkatëse do të bëjnë një raport rreth shkaqeve që shkaktuan shpërthimin e këtij zjarri.

Në vendngjarje kishte dalur edhe drejtoresha për Emergjenca dhe Siguri në Prizren, Ramize Sinanaj- Shala, e cila tha se, pas verifikimit të gjendjes së plotë, në bazë të mundësive buxhetore, do t’i kompensojmë bizneset e dëmtuara për dëmet që i janë shkaktuar nga zjarri nga kategoria e subvencioneve.

Zyrtari i KEDS, Kodran Piraj, për Tv Prizrenin ka thënë se dyshimet e para për shpërthimin e këtij zjarri mund të jenë nga defektet e instalimit elektrik të barakave.

Gjendja pas lokalizimit të zjarrit në këto objekte dukej e rëndë, dhe pronarët kishin filluar të merren me pastrimin e mbeturinave të mallrave dhe pajisjeve të djegura.