Site icon Telegrafi

Zjarre të shumta kaplojnë Maqedoninë

Zjarri tek fshati Moranë është zgjeruar edhe në fshatin Oreshani të Komunës së Zelenikovës. Zjarri ka përfshirë pyjet e ulëta, por nëse vazhdon të zgjerohet drejt lumit, rajoni i Oreshanit mund të kaplohet nga zjarret pyjore. Në terren janë ekipe të zjarrfikësve nga Bashkia e Shkupit, ndërsa pritet që të bashkangjiten edhe ekipe tjera, informojnë nga Qendra për menaxhim me kriza.

Në rajonin e fshatit Bojanë në drejtim të fshatit Zhelinë për momentin po digjet barë i thatë dhe bimë të ulëta. Zjarrfikësit janë në terren dhe për momentin nuk ka nevojë për intervenime shtesë, por nëse zjarri afrohet deri në Zhelinë atëherë është e mundur që t’i përfshijë edhe drutë gjethëmbajtës, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Zjarri në Matkë është shuar dhe në terren është një ekip kujdestar. U kapluan pemë të ulëta në rajonin e Komunës së Sarajit. Është shuar edhe zjarri në fshatin Barovë në Komunën Sopishte, me intervenim të ekipit të NP “Parqe dhe gjelbërime”, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Zjarri në fshatrat Trebovlje dhe Rastesh akoma është aktiv. Në shuarjen e tij janë angazhuar edhe ARM-ja.

Ndërsa siç njoftojnë nga Qendra për menaxhim me kriza, të punësuarit në “Sandanski” në Makedonski Brod janë angazhuar janë angazhuar për lokalizimin e zjarrit në fshatin Rastesh. Ata marrin masa që të parandalojnë që zjarri të mos përhapet në shtëpitë e fshatit.

Për momentin zjarr aktiv ka në hyrje të fshatit Mogilec, me shuarjen e të cilit merret Njësia Territoriale Kundër Zjarrit në Makedonski Brod.

Zjarri në fshatin Dren – Smollani, i cili u shua dje, sot nga ora shtatë e mëngesit përsëri është aktiv dhe tani po zgjerohet në pjesën e epërme të bjeshkës. Ekipet për lokalizim janë akoma në vendin e ngjarjes.

Edhe në rajonin e Tetovës ka zjarre aktive. Mbi fshatin Kopancë po digjen pyje dha barë i thatë përgjatë bjeshkëve “Zheden”. Në vendin e ngjarjes janë ekipe të Ekonimisë Pyjore “Leshnica” nga Tetova.

Ndërsa në Gostivar aktiv është zjarri në fshatin Koritë, për shuarjen e të cilit janë angazhuar ekipe të “Sharri” dhe zjarrfikësit nga Gostivari.

Qendra për menaxhim me kriza njofton se shuarjen e zjarrit e vështirësojnë temperaturat e larta dhe prania e erës./Telegrafi/

Exit mobile version