Telegrafi

Zjarr në një kafiteri në Vushtrri, Policia depërton brenda lokalit për të parë nëse ka ndonjë person 

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës në Vushtrri bën të ditur se gjatë orëve të natës së 6 majit 2021 ka pranuar një thirrje emergjente, për një zjarr që kishte kapluar një lokal (kafiteri) në Vushtrri.

Në njoftim thuhet se me të pranuar informacionin drejt vendit të ngjarjes me urgjencë kanë reaguar njësitë policore, njëkohësisht janë njoftuar zjarrfikësit.

“Me të arritur në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë vërejtur se tymi që po dilte nga lokali ishte rrezik potencial për banorët që banonin sipër në atë ndërtesë. Me qëllim të parandalimit dhe evitimit të rrezikut në shkallë të gjerë zyrtarët policorë në rrethana të tilla duke rrezikuar jetën dhe shëndetin e tyre kanë depërtuar brenda hapësirave të lokalit për t’u vërtetuar se a ndodhej ndonjë person në lokal si dhe i kanë hapur dritaret për lirimin e tymit në pjesën tjetër”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë në vendin e ngjarjes kanë shkuar njësia e zjarrfikësve të cilët kanë lokalizuar zjarrin që rrezikonte të përhapej. Përveç dëmeve materiale, të lënduar nuk ka pasur. /Telegrafi/