Një person pasi ka vërejtur zjarr në afërsi të derës së një kishe ka reaguar shpejt duke e fikur atë.
Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të hënën rreth orës 23:09 tek objekti kishtar (kisha ortodokse) “Shën Pantelija”, në rrugën “Haxhi Krasniqi”, në Prizren.
Tutje në njoftim bëhet e ditur se disa persona të panjohur kanë tentuar të djegin derën e hyrjes së këtij objekti.
“Më 17.04.2023 rreth orës 23:09, një qytetar ka vërejtur një zjarr në afërsi të derës së një kishe, ai ka reaguar dhe ka arrit ta fik zjarrin pa u shkaktuar dëme të mëdha. I njëjti ka njoftuar policin se në rrugën ‘Haxhi Krasniqi’ në Prizren, saktësisht tek objekti kishtar ‘Shën Pantelija’- kishë ortodokse, të dyshuar të panjohur kanë tentuar ta djegin derën e hyrjes së këtij objekti”, thuhet në njoftim.
Po ashtu në njoftim thuhet se patrulla policore i është përgjigjur rastit.
“Me të arritur në vendngjarje konfirmojnë se në vendin e ngjarjes kundërmon era e benzinës dhe është një shishe e plastikës që është djegur. Pasi që janë mbledhur provat dhe dëshmitë, në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka rekomanduar që të iniciohet rasti ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/