Telegrafi

Zinchenko përmend një gjë që e dallon Guardiolën dhe Artetën, nuk janë trofetë

Oleksandr Zinchenko ka bërë një pohim delikat se Pep Guardiola di të reagojë në situata më mirë se Mikel Arteta.

Gjatë një paraqitjeje në podcastin e The Athletic’s Handbrake Off, mbrojtësi i Arsenalit u pyet për dallimet dhe ngjashmëritë midis Guardiolës dhe Artetës.

Zinchenko, i cili ka pasur privilegjin të luajë nën drejtimin e të dy trajnerëve, u përgjigj pa hezitim.

“Të dyve u pëlqen të fitojnë. Ata thjesht do të japin gjithçka për të fituar ndeshjen, nuk ka rëndësi se cila garë është, miqësore apo çfarëdo, të dy i kushtojnë vëmendje detajeve të vogla”, ka thënë fillimisht Zinchenko.

“Sigurisht, Pep Guardiola ka më shumë përvojë, ai ka punuar me klube të mëdha në të kaluarën dhe kur ke përvojë, i sheh situatat mijëra herë dhe di si të reagosh ndaj secilës”.

“Nuk po them që Mikel nuk e di, sigurisht, ai di si të reagojë ndaj situatave, por gjithçka ka të bëjë me përvojën”.

“Unë mendoj se ky është ndryshimi kryesor midis tyre, por jam i sigurt se Mikel do të ketë trashëgiminë e tij me siguri dhe një të ardhme të mrekullueshme”, përfundoi ukrainasi.

Arteta është kritikuar shpesh për reagimet e tij shpërthyese në fushë, veçanërisht kur gjërat nuk shkojnë ashtu siç duhet për Arsenalin.

Sidoqoftë, mentaliteti i tij fitues dhe vëmendja ndaj detajeve më të imta janë gjëra që ai i ka zgjedhur qartë nga Guardiola ndërsa punonte si ndihmës trajneri i tij te Manchester City. /Telegrafi/