Site icon Telegrafi

Zidane: Do të jetë një tjetër betejë në Milano

(Foto: Screenshot/Twitter/Real Madrid C.F.)

Zinedine Zidane e konsideroi një përballje të nivelit të Ligës së Kampionëve, takimin ndërmjet Real Madridit dhe Interit, të cilën skuadra e tij e fitoi me rezultat 3-2.

Los Blancos krijuan epërsi të dyfishtë, mirëpo zikaltrit u kthyen për ta barazuar rezultatin, sidoqoftë skuadra spanjolle realizoi edhe një herë për ta fituar takimin.

“Fituam një ndeshje të vështirë ndaj një Interi që realizoi dy gola. Është një përballje e nivelit të Ligës së Kampionëve, ishte vështirë, por në fund të ditës e gjetëm golin e tretë që vlen tri pikë”.

(Foto: Twitter/Real Madrid C.F.)

“Ishte një finale për ne dhe për ta, po ashtu, prandaj jam i kënaqur me rezultatin dhe tri pikët shumë të rëndësishme”, ka deklaruar Zidane për Sky Sport Italia.

Lexo po ashtu Real Madridi merr fitoren e parë në Ligën e Kampionëve, mposht me vështirësi Interin

Grupi B mbetet shumë i hapur, pasi pas tri xhirosh prin Borussia Monchengladbach me pesë pikë, Shakhtar Donetsku dhe Real Madridi kanë nga katër pikë, kurse Interi ndodhet në fund me dy pikë.

“Sidoqoftë, është akoma shumë vështirë për ne në këtë grup, duhet të shkojmë në Itali për sfidën e radhës dhe do të jetë një tjetër duel i vërtetë. Ishte me rëndësi që t’i merrnim tri pikët, prandaj jam i kënaqur për lojtarët që bënë përpjekje të mëdha”, ka shtuar trajneri i Realit. /Telegrafi/

Exit mobile version