Zinedine Zidane ka thënë se Juventusi e vuri nën presion Real Madridin, por skuadra e tij u tregua më efektive dhe Cristiano Ronaldo dallon nga lojtarët tjerë.
Mbretërit e pushtuan fushën e Allianz Juventus Stadium duke fituar me rezultat 3-0 dhe duke iu afruar gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve.
Ishte pritur një hakmarrje e Zonjës së Vjetër pas humbjes në finalen e kaluar (4-1), mirëpo bardhezinjtë u treguan të pafuqishëm përballë Los Blancos.
“Nuk është lehtë t’ia shënosh tre gola Juves në fushën e vet. Bëmë një paraqitje të shkëlqyer, por Juve luajti po ashtu mirë, na vuri nën presion dhe pati rastet e veta për të shënuar, mirëpo ne ishim më efektivë”.
“Natyrisht se Juventusi nuk është i kënaqur me rezultatin e sotëm (e martë), por unë do ta kem gjithmonë Juven në zemrën time”, ka thënë Zidane për Mediaset Premium.
CR7 ishte vendimtar me dy gola të shënuar, njëri prej të cilëve ishte gol shumë i bukur. Për më shumë, ai është bërë lojtari i parë që shënon në 10 ndeshje radhazi në Ligën e Kampionëve.
“Cristiano Ronaldo është ndryshe. Ai dallon nga lojtarët tjerë dhe gjithmonë ka dëshirë të bëjë diçka të jashtëzakonshme në Ligën e Kampionëve, ai nuk ndalon kurrë për të arritjet e tij”.
“Goli i tij me fluturim ishte mbresëlënës, por ai i humbi dy raste tjera shumë më të lehta. Ky është futbolli!”, ka shtuar strategu francez. /Telegrafi/