Chelsea thuhet se e ka humbur besimin te Maurizio Sarri dhe pritet ta angazhojë Zinedine Zidanen.
Sipas “The Sun”, që e përshkruan historinë si një ekskluzivitet, italiani ka ‘humbur mbështetjen’ te zyrtarët e klubit londinez ndërkohë që francezi ka një ‘mbështetje në rritje’.
Ish-strategu i Real Madridit aktualisht është i papunë pasi u largua nga madrilenët në fund të sezonit të kaluar dhe gazeta shpjegon se është shumë i prirur për të shkuar në Ligën Premier.
Për më tepër, emërimi i Zidanes do të ‘inkurajonte’ Eden Hazard të nënshkruante një kontratë të re, pasi idol e ka ish-shefin e Los Blancos.
Zidane udhëhoqi mbretërit drejt tre titujve të njëpasnjëshme në Ligën e Kampionëve dhe një titull spanjoll midis 2016 dhe 2018.
Sarri, nga ana tjetër, thuhet se po përballet me një revoltë lojtarësh pas humbjeve të rënda të kohëve të fundit, megjithëse, është në finale të EFL Cup.
Ndryshe, Chelsea aktualisht zë pozitën e gjashtë të renditjes tabelore me 50 pikë, po aq sa ka edhe Arsenali. /Telegrafi/