Zinedine Zidane ka pranuar se e ka akoma në zemër Juventusin, ndërsa ka theksuar se Real Madridi nuk është favorit për ta fituar finalen e Ligës së Kampionëve.
Mbretërit siguruan vizën për në Cardiff pasi eliminuan Atletico Madridin me rezultat të përgjithshëm prej 4-2. Nga ana tjetër, Zonja e Vjetër e eliminoi Monacon me rezultat të përgjithshëm prej 4-1.
Zizou ka pranuar se do të ketë ndjenja të përziera, pasi ka luajtur për pesë vite te Juve (1996-2001), para se të transferohej te Reali.
“U bëra njeri dhe lojtar më i mirë te Juve. Është një klub i madh. Përballja ndaj tyre në finale do të jetë e veçantë, sepse akoma e kam Juventusin në zemër”.
“Do të jetë një finale e bukur, kemi pasur rrugë të ngjashme dhe të dyja skuadrat meritojnë të jenë atje. Tash do të kemi kohë për t’u përgatitur”, ka deklaruar Zidane për Mediaset Premium.
Reali është skuadra e parë që mund ta fitojë Ligën e Kampionëve dy herë rresht në formatin aktual (prej se Milani e ka fituar Kupën e Evropës në vitin 1989 dhe 1990).
“Real Madridi absolutisht nuk është favorit. Është shumë vështirë që t’i shënosh kësaj skuadre të Juves. Mbrojtja nuk është forca e tyre e vetme. Ata kanë lojtarë të shkëlqyer edhe në sulm”, është shprehur legjenda franceze.
Finalja e Ligës së Kampionëve zhvillohet me 3 qershor në Cardiff. /Telegrafi/