Zinedine Zidane ka folur pas fitores së thellë 5-0 të Real Madridit ndaj Granadas.
Fitorja e fundit në La Liga ka bërë që ‘Mbretërit’ të rrisin në gjashtë pikë diferencën ndaj rivalëve të hidhur, Barcelonës, teksa fitorja e fundit e ka lënë të kënaqur edhe trajneri Zidane, i cili ka lavdëruar futbollistët për paraqitjen dhe ka deklaruar se Topi i Artë i fituar nga Ronaldo, ishte plotësisht i merituar.
“Fitorja është gjëja më e rëndësishme, po, por edhe mënyra se si fituam. Njerëzit e kanë shijuar këtë fitore dhe kjo është çështja”, ka thënë fillimisht Zidane pas fitores ndaj Granadas.
“39 ndeshje të pamposhtur: Është rezultat se gjërat po shkojnë mirë. Kur ju shënoni të parët dhe shpejtë çdo gjë është më e lehtë”, përcjell Telegrafi.
“Ajo që bie në sy është profesionalizmi i ekipit që ka nga minuta e parë deri në fund – duke respektuar kundërshtarin, duke luajtur me intensitet, duke bërë presion kur humbasim topin”.
“Jam i lumtur për Cristianon, sepse ai e meritoi Topin e Artë. Shumë lojtarë kanë nga një apo dy, por ai ka katër të tillë. Nuk është e lehtë për të fituar kaq shumë”, përfundoi Zidane. /Telegrafi/