Edhe këtë verë sikurse viteve të mëparshme, plazhet shqiptare janë kthyer në vende të tragjedisë për një numër të pushuesve kosovarë.
Vetëm gjatë muajit qershor, tre pushues e kanë humbur jetën në bregdetin shqiptar, duke alarmuar mungesën e sigurisë në plazhet shqiptare.
Arsyeja se pse po ndodhin humbjet e jetëve në bregdetin shqiptar, për zhytësin e njohur kosovar, Ismajl Kasumi, lidhet kryesisht me pakujdesinë e pushuesve.
Ai ka theksuar se problem i madh në krejt bregdetin shqiptar është mungesa e shpëtimtarëve, të cilët sipas tij, do të ndikonin në parandalimin e humbjes së këtyre jetëve.
“Disa herë e kam prezantuar këtë problem, madje është për befasi se sa shumë investime bëhen atje në aspekte tjera, derisa në anën tjetër nuk kemi shpëtimtar”, ka shtuar Kasumi.
Ai një porosi të veçantë e ka dhënë për prindërit që të jenë vigjilentë dhe të kujdesshëm me fëmijët e tyre gjatë kohës që janë afër ujit, duke e pasur sipas tij, tërë fokusin tek të vegjlit.
“Nuk duhet prindërit të habiten me lojëra të ndryshme, e fëmijët t’i harrojnë, por që fokusin e vazhdueshëm ta kenë te ata”, tha Kasumi.
Ai ka thënë se tash e disa vite më parë e përsëritë nevojën që fëmijët nëpër shkolla ta kenë si lëndë obligative mësimin e notit, si preventivë në parandalimin e këtyre fatkeqësive që po ndodhin me pushuesit kosovarë në bregdet. /Telegrafi/