Kombëtarja shqiptare e futbollit shkeli fushën e gjelbër të Velodrome për seancën e fundit stërvitore para sfidës ndaj Francës.
Një mundësi për t’u përballur me madhështinë e stadiumit 67 mijë vendësh, emocionet këtë herë nuk duhet të jenë një faktor kushtëzues, për ta eliminuar këtë handikap kanë shërbyer ndoshta dhe fjalët e Lorik Canës, ai që më mirë se kushdo tjetër e njeh këtë stadium, ku dikur ka qenë një idhull për tifozët.
Seanca e fundit ka shërbyer për t’u familjarizuar me ambientin, por dhe për të shuar ndonjë dyshim të vogël, megjithëse gjithçka është përgatitur në detaje, transmeton SuperSport.
Gianni De Biasi preferon të mos i hapë kartat në tavolinë për sa i përket formacionit, por me shumë mundësi do të jetë ai i paralajmëruar nga Telegrafi. Përkundër se ekziston mundësia që Xhaka të zëvendësohet nga Memushaj. Njëherësh, Lila mund të angazhohet në krah vend të Roshit.
Sido që të zgjedhë trajneri, Shqipëria duhet të nxjerrë rezultat pozitiv kundër Francës për të shpresuar kualifikimin në fazat e mëtutjeshme.