Site icon Telegrafi

Zhvillohen 11 ndeshje në NBA, Indiana Pacers fiton derbin pas vazhdimeve ndaj Boston Celtics

Është zhvilluar xhiro e radhës në elitën e basketbollit amerikan NBA ku nuk kanë munguar ndeshjet spektakolare, por edhe befasitë.

Padyshim që ndeshja kryesore dhe më interesante njëkohësisht është zhvilluar në Gainbridge Fieldhouse në Indianapolis, ku Indiana Pacers ka triumfuar ndaj Boston Celtics.

Përderisa koha e rregullt u mbyll në barazim 124:124, pas vazhdimeve vendasit e Indiana Pacers triumfuan me tre pikë diferencë 135:132.

Bennedict Mathurin ishte më efikasi në këtë sfidë për vendasit me 30 pikë, 11 kërcime e katër asistime, derisa lojë të mirë shfaqën edhe Pascal Siakam me 29 pikë dhe Toppin që shtoi 18 të tjera.

Për mysafirët e Celtics më i miri në parket ishte Jayson Tatum me 37 pikë, por që nuk mjaftuan për fitore.

Los Angeles Lakers kanë pësuar humbjen e dytë radhazi, pasi janë mposhtur në udhëtim te Cleveland Cavaliers 134:110, derisa humbje pësuan edhe Clippers që para adhuruesve të vet u mposhtën nga Portland Trail Blazers me një pikë diferencë 105:106.

Golden State Warriors ka vazhduar me formë të mirë pas fitores 104:89 ndaj New Orleans Pelicans, ndërkohë Miami Heat ka humbur në shtëpinë e tyre 107:116 nga New York Knicks. /Telegrafi/ 

 

 

Exit mobile version