Federata e Futbollit e Kosovës dënon ashpër zhvillimin e garave ilegale të futbollit nga ana e strukturave të Serbisë brenda territorit të vendit tonë. FFK është anëtare me të drejta të plota në UEFA që nga maji i vitit 2016 dhe si e tillë është institucioni i vetëm me statutin e UEFA-s dhe të FFK-së që bën organizimin e garave të futbollit në Republikën e Kosovës.
Raportimet e fundit në media për zhvillimin e ndeshjeve garuese nga struktura ilegale të Serbisë brenda territorit të Kosovës, ndonëse në nivele amatore, janë shqetësuese dhe të papranueshme. FFK-ja edhe më herët i ka diskutuar këto dukuri brenda Këshillit për Sport dhe ka kërkuar ndërmarrjen e masave të menjëhershme. Aktivitetet e tilla e cenojnë autoritetin e FFK-së dhe sovranitetin e Kosovës në përgjithësi.
FFK kërkon nga të gjithë faktorët relevant të shtetit, Këshilli për Sport dhe organet e rendit, që të ndërmarrin hetime urgjente dhe t’i ndalojnë aktivitetet e tilla ilegale dhe është e gatshme të ndihmojë me ekspertizë dhe mbështetje përmes mekanizmave të UEFA-s dhe FIFA-s.
Ne jemi të hapur për bashkëpunim dhe mbështetje për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, duke përfshirë edhe komunitetin serb, por nuk mund të lejojmë zhvillimin e aktiviteteve të strukturave ilegale, që në kundërshtim me rregullat e UEFA-s bëjnë organizim të ndeshjeve të futbollit brenda territorit të Kosovës. Andaj, do të bëjmë çdo gjë që është në kompetencat tona për t’i ndaluar këto aktivitete.
Njëherësh shprehim shqetësimin tonë në lidhje me pengesat që i ka krijuar MKRS në lidhje me mos licencimin e FFK-së, përkundër plotësimit të dokumentacionit si dhe ndërhyrjet e vazhdueshme të fundit të organeve të hetuesisë në pavarësinë e FFK-së. Si duket pikërisht këto veprime të autoriteteve të Kosovës kundrejt pavarësisë së FFK-së i kanë trimëruar strukturat ilegale të Serbisë që të organizojnë aktivitete të futbollit në Kosovë.
Lidhur me këto aktivitete ilegale e ndërhyrje direkte të Serbisë, si dhe procesin e licencimit dhe zhvillimet e fundit nga organet e hetuesisë kundrejt FFK-së, do të reagojmë dhe do të kërkojmë intervenimin e UEFA-s, gjatë takimeve që do t’i ketë delegacioni i Kosovës në Kongresin e radhës të UEFA-s që do të mbahet nesër në Lisbonë të Portugalisë.