Telegrafi

Zhvillimi ekonomik është i qëndrueshëm kur ka klimë për investime

Në kuadër të vizitave nëpër komunat e Kosovës, me qëllim të njoftimit me gjendjen e përgjithshme, me theks të veçantë me zhvillimin ekonomik, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga vizitoi sot komunën e Podujevës, ku u prit nga kryetari Agim Veliu.

Presidentja Jahjaga në takim shoqërohej nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, dhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermane, Albert Matoshi.

Ata u njoftuan nga kryetari Veliu për zhvillimin ekonomik në komunën e Podujevës dhe problemet me të cilat përballet edhe pushteti lokal edhe bizneset që e zhvillojnë aktivitetin e tyre në këtë komunë.

“Biseduam për nivelin e zhvillimit ekonomik, projektet aktuale si dhe projektet e ardhshme për komunën e Podujevës. Patjetër se diskutuam edhe për problemet dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohet kryetari dhe komuna e Podujevës”, tha Jahjaga.

Sipas saj, qëllimi i këtyre vizitave është t’i identifikojmë bashkërisht të gjitha sfidat dhe probleme komunat sa i përket zhvillimit ekonomik.

“Tanimë është e ditur se zhvillimi ekonomik është më funksional dhe është më i qëndrueshëm vetëm atëherë kur kemi një klimë më të mirë të investimeve, veçanërisht për investimet e huaja, por edhe për investim përbrenda Kosovës”, theksoi presidentja Atifete Jahjaga.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, tha se e kanë informuar presidente për situatën aktuale, sa i takon zhvillimit ekonomik.

“Ne presim një angazhim më të madh të institucioneve qendrore, në mënyrë që të lehtësohen edhe procedurat e ndryshme për sa i takon bërjes së biznesit edhe lehtësirave të ndryshme, por edhe komunave t’ju mundësohet që të kenë raporte në këtë fushë me ata që janë të interesuar të investojnë kapitalin e tyre nëpër komuna. Sepse, fundja ne e kemi edhe si përgjegjësi ofrimin e kushteve për të gjithë ata që dëshirojnë të investojnë kapitalin e tyre në komunat e Kosovës”, tha Veliu.

Sipas tij, Podujeva po përballet me vështirësi të ndryshme me prona pasi ato menaxhohen AKP-ja.

E kryetari i Odës Ekonomike Amerika në Kosovë, Arian Zeka, theksoi se problemet nëpër komuna janë të ngjashme. “Asnjë reformë fiskale dhe asnjë ndryshim tjetër që është bërë nga ana e nivelit qendror të qeverisjes nuk mund të ketë kuptim dhe nuk mund të sjellë rezultate pozitive në tërheqjen e investimeve të huaja, nëse komunat, pra nëse aspekti lokal i zhvillimit ekonomik e që janë komunat përballen me probleme të tilla burokratike”, tha Zeka. /Telegrafi/