Telegrafi

Zhvillimet në veri, deklaratat e Kurtit dhe emisarit gjerman për situatën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar ditën e shtunë  emisarin e  Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Emisari gjerman ka deklaruar se në takim me Kurtin kanë biseduar rreth zhvillimeve të fundit në vend, dhe tensioneve që ka pasur në veri.

Sipas Sarrazin, veprimet e institucioneve kosovare të premten kanë qenë të gabuara.

“Marrëveshja e arritur në Ohër me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, përfaqësuesit të jashtëm Borrell dhe emisarit Lajcak është mundësi e mirë për gjithë rajonin, e sidomos Kosovën dhe Serbinë për paqe dhe qetësi. Mesazhi im për sot është që ne nuk do të lejojmë që marrëveshja e Ohrit që ofron mundësi, të hidhen poshtë për shkak të një budallallëku”, tha ai.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti pas takimit ka deklaruar se shkuarja e kryetarëve të komunës në zyrat e tyre të punës duhet të trajtohen si gjë normale

“Kryeministri theksoi rëndësinë e respektimit të rezultateve të zgjedhjeve demokratike, duke shtuar se shkuarja e kryetarëve të komunës në zyrat e tyre të punës dhe ofrimi i shërbimeve bazike për qytetarë duhet të trajtohen si gjë normale”, thuhet në njoftimin e bërë nga zyra e kryeministrit.

Lexo po ashtu Kurti pasi takoi emisarin e Gjermanisë: Shkuarja e kryetarëve të komunës në zyrat e tyre të punës duhet të trajtohen si gjë normale

Ndryshe, të premten grupe qytetarësh serbe u përplasën të premten me Policinë e Kosovës e cila tha se po ndihmonte kryetarët e rinj të tre komunave të banuara me shumicë serbe në veriun e vendit, për të hyrë në zyrat e tyre.

Policia hodhi gaz lotsjellës në hyrje të komunës së Zveçanit për të shpërndarë turmën e cila hodhi shashka dhe gurë mbi pjesëtarët e policisë, ndërsa i vuri flakën të paktën një makine të policisë.

Në një njoftim të Policisë së Kosovës thuhet se pesë pjesëtarë të saj pësuan lëndime, ndërsa katër makina u dëmtuan gjatë përleshjeve.

“Policia e Kosovës (PK), sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese po ndërmerr veprimet e saja policore në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që paraqiten në vend. /Telegrafi/