Telegrafi

Zhvillimet në veri, EULEX tregon detaje nga përforcimi i Njësisë Policore të Specializuar prej 23 xhandarësh nga Karabinierët italianë

Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit, EULEX gjatë ditës së djeshme është përforcuar me trupa shtesë.

Përmes një njoftimi për media EULEX, ka bërë të ditur se një Njësi Policore e Specializuar Rezervë (NJPSR) e përbërë nga 23 xhandarë nga Karabinierët italianë dhe anëtarë të Forcës së Xhandarmërisë Evropiane (EUROGENDFOR), u zbarkua përkohësisht në Kosovë për t’i përforcuar kapacitetet e Njësisë Policore të Specializuar (NJPS) ekzistuese të EULEX-it.

Sipas njoftimit thuhet se NJPSR u dislokua në Kosovë si përgjigje ndaj nevojës së Misionit për të pasur forca shtesë në terren dhe për t’i mbështetur më mirë homologët tanë kosovarë, nëse kjo kërkohet dhe nëse është e nevojshme.

“NJPS-ja e rregullt e EULEX-it, e përbërë nga 105 policë polakë, është e stacionuar në Mitrovicë dhe është reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë, që është pjesë përbërëse e mekanizmit me tre nivele të reaguesve të sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti kurse NATO/KFOR-i i treti.

NJPSR-ja e sapozbarkuar aktualisht përbëhet nga 23 xhandarë nga Karabinierët italianë dhe është e vendosur në Kompleksin Mbështetës të EULEX-it në Fushë Kosovë. NJPSR-ja është nën komandën e EULEX-it dhe do ta mbështesë Misionin në përmbushjen e detyrave të tij, përfshirë ato si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë nëse është e nevojshme”, thuhet në njoftim.

EULEX më tej thekson se siguria e grave, burrave, vajzave dhe djemve nga të gjitha komunitetet në Kosovë është prioriteti kryesor i tyre, dhe se zbarkimi i Njësisë Policore të Specializuar Rezervë e tregon vendosmërinë e EULEX-it që të vazhdojë ta mbështesë stabilitetin e Kosovës dhe të kontribuojë në sigurinë e popullatës së saj.

“Kjo është hera e dytë që një NJPSR zbarkohet në Kosovë: në mars 2022, EULEX-i e përforcoi përkohësisht NJPS-në e tij me një Njësi Rezervë prej 70 xhandarësh nga Portugalia dhe Franca. Xhandarët u larguan nga Kosova më 18 korrik”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/