Site icon Telegrafi

Zhvillimet në veri dhe politikat e Kurtit, Abdixhiku nis takimet të mërkurën për daljen nga kriza

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se ditën e mërkurë do të nis takimet me opinionistë e gazetarë, organizata të shoqërisë civile e të tjerë,  ku do të diskutohet për politikat e Qeverisë Kurti me aleatët historik të saj.

Abdixhiku ka thënë se kjo ide është përkrahur dhe se është momenti i duhur për këto takime, ku do të dalin me propozime për tejkalimin e krizës, transmeton Telegrafi.

“Javën e shkuar kam shpalosur idenë e nisjes së artikulimit të një mendimi të përbashkët shoqëror, si rrugë e re e Republikës së Kosovës, përballë politikave përplasëse të Qeverisë së Kosovës me aleatët historik të saj – dhe së këndejmi, rrezikimit të shtyllave qenësore të sovranitetit dhe vet shtetësisë sonë”.

Abdixhiku shton tutje “Kam ftuar për angazhim të përbashkët të shoqërisë sonë, atyre që besojnë në Republikën e Kosovës dhe rrugëtimin e saj euroatlantik, në artikulimin e qartë të kësaj rruge”.

“Kam ftuar në angazhim mbipartiak e përtej partiak si thirrje e fundit ndaj zhvillimeve të kohës. Jam i lumtur me reagimin e parë publik ndaj vet iniciativës. Jam i lumtur me mbështetjen e gjerë të dhënë nga vet akterët për këtë qëllim. Jam i bindur se shoqëria kosovare ka masën kritike të domosdoshme brenda saj, për të bërë gjënë e duhur në momentin e duhur. Dhe ky është momenti i duhur”.

Kreu i LDK-së, thotë se takimet do të nisin ditën e mërkurë.

“Nga e mërkurja, do të organizojmë katër takimeve të para; dhe atë me: I. Opinionistë e gazetarë; II. Organizata të shoqërisë civile; III. Profesorë universitarë e ish diplomatë; dhe IV. Biznese nga sektori privat në vend.

Në të katër takimet e para, do të shtrojmë jo vetëm nevojën e ndërtimit të një mendimi e rrugëtimi të përbashkët euro-atlantik, por dhe propozimet tona për dalje nga kriza e tanishme izoluese e tensionuese”, njofton ai.

Abdixhiku sqaron më tej se “Këto propozime do të përmbajtësohen nga vet pjesëmarrësit; e rruga e re e Republikës, do të lindë natyrshëm nga angazhimi gjithë shoqëror .Kosova mundet më mirë. Kosova meriton më shumë”. /Telegrafi/

Exit mobile version