Telegrafi

Zhvillimet në vend dhe siguria në veri, Osmani takoi ambasadorin francez

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Francë në Kosovë, Olivier Guerot.

Sipas njoftimit për media thuhet se temë e diskutimit të takimit ishin marrëdhëniet bilaterale,  koordinimin e Kosovës dhe Francës, si dhe zhvillimet e fundit të sigurisë në vend, rajon dhe më gjerë.

“Presidentja Osmani ka përsëritur angazhimin proaktiv të institucioneve të Republikës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në të gjithë territorin e shtetit”, thuhet në njoftim.

Osmani dhe ambasadori Guerot diskutuan mbi rezultatet e samitit të 18-të të krerëve të shteteve të Frankofonisë të mbajtur në Gjerba të Tunizisë, ku Kosova u përfaqësua nga Presidentja Osmani.

Në këtë drejtim, Presidentja foli mbi diskutimin me Presidentin Emmanuel Macron gjatë punimeve të samitit si mundësi e mirë që të riafirmohet rëndësia e partneritetit në këtë kohë përcaktuese për sigurinë e përbashkët.

“Tutje, bashkëbiseduesit u ndalën tek samiti i liderëve të shteteve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë, me ç’rast, Osmani e informoi ambasadorin Guerot mbi diskutimet e saj me liderët evropian për përkushtimin e institucioneve dhe popullit të Kosovës për ta avancuar rrugëtimin evropian, në veçanti planet e Kosovës për aplikim për anëtarësim në BE”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/