Në Policinë e Kosovës ditëve të fundit ka pasur disa zhvillime pasi ka pasur emërime e shkarkime në hierarkinë drejtuese të këtij institucioni.
Gjatë ditës së martë, Nënkoloneli Basri Shabani i cili shërbente si Drejtor i Policisë në Regjionin e Ferizajt është bartur në Prishtinë.
I njëjti është emëruar në pozitën e drejtuesit të Policisë së regjionit të Prishtinës, pozitë këtë që paraprakisht e mbante Fehmi Xhata.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar vetë Shabani.
“Po, mund të konfirmoj se nga sot kam marrë detyrën e drejtorit të Policisë në Regjionin e Prishtinës. Vendimi është marrë një ditë më parë”, ka thënë ai.
Ndërkaq, tri ditë më parë u raportua se shefi i Njësisë së Veçantë të Hetimeve në Policinë e Kosovës, (ish Task-Forca), Shemsi Haziri është shkarkuar nga kjo pozitë.
Departamenti brenda Policisë së Kosovës që udhëhiqej nga Shemsi Haziri ka hetuar rastin e kryeshefit tashmë të suspenduar të KEK-ut, Nagip Krasniqit, i cili u arrestua me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës nën dyshimin se ka kryer veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar; ushtrimi i ndikimit, dhe konflikti i interesit.
Më 25 prill, Bordi i drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka marrë vendim për suspendimin nga puna të kryeshefit ekzekutiv, Nagip Krasniqit. /Telegrafi/