Pronari i anijes në lumin Vardar, përballë MPJ-së, kompania bullgare “Servis AD” do të kërkojë dëmshpërblim nga Qyteti i Shkupit në qoftë se autoritetet lokale e zhvendosin objektin. Këtë e deklaroi në linjë telefonike për Alsat M drejtori i kompanisë Zharko Milenkovski. Ai shpjegoi se deri më tani ka investuar rreth 1.2 milion euro.
“Në qoftë se qyteti miraton vendim të tillë që të zhvendosen, shpresoj se do të konsultohen me ne, dhe do na kompensojnë. Unë shpresoj se kujdesen për pasojat, nëse jo – ka gjykata. Ndoshta qyteti do të investojë në zhvendosjen nga Vardari, ajo mund të kushtojë një milion euro. Dhe ku do na zhvendosin? Nuk kemi paguar aq shumë para për të qenë këtu ku jemi. Në kontratën për koncesion nuk shkruan se në çdo moment mund të na zhvendosin”, tha Zharko Milenkovski , drejtor i “Servis AD”.
Pronarja e re e anijes “Rojal Makedonija” i pozicionuar tek MEPSO, Vera Najdovska , nuk deshi të flasë për këtë temë, nuk u përgjigj as në mesazhe. Sot pamë se restoranti nuk punon. Në derën e përparme theksohej se objekti është duke u rinovuar.
Më parë, këto dy anije ishin në pronësi të kompanisë “Falanga DIM” të Davor Andreevskit. Portali “Prizma”, kohët e fundit ka raportuar se Andreevski ka hequr dorë nga biznesi, me çka anijet-restorante fituan pronarë të rinj.
Nga Qyteti i Shkupit nuk morëm informacione në detaje, deri kur duhet të përgatitet analiza e dislokimit të anijeve, sa para do të kushtonte ky intervenim, as për pasojat juridike dhe ekonomike të një hapi të tillë./Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=Y_jhylS_cy8