Telegrafi

Zhvarroset një kufomë në Elbasan, dyshohet se i përket të riut të zhdukur tetë vjet më parë

Prokuroria e Elbasanit ka rihapur hetimet për zhdukjen e këngëtarit të muzikës tallava, Renato Hamzës, i njohur si ‘Reni i Elbasanit’.

Burimet bëjnë të ditur se mëngjesit të djeshëm punonjës të policisë dhe specialistëve të krimeve dhe mjekësisë ligjore, kanë kryer zhvarrosjen e një kufome që mbetet ende i paidentifikuar.

Kufoma u gjet vite më parë në një fshat të Librazhdit dhe ishte varrosur si person i paidentifikuar, ndërsa nga mbetjet kockore janë marrë kampione ADN-je, pasi ka dyshime që ky trup mund t’i përkasë pikërisht Renato Hamzës, zhdukja e të cilit vijon të mbetet një enigmë edhe sot.

Ka dyshime se këngëtari i muzikës tallava Renato Hamza, mund të jetë ekzekutuar nga një grup kriminal që operon në zonën e Shqipërisë së Mesme, pasi për të riun kanë pasur dyshime se mund të ketë qenë dëshmitarë i një ngjarjeje kriminale që ky grup kishte kryer.

Prej qershorit 2014, familja e këngëtarit të muzikës tallava Renato Hamza, nuk ka asnjë informacion për fatin e 21-vjeçarit në atë kohë nga Elbasani. /Euronews Albania/